Ministry of Education and Sports

Njoftim për transferimin e studimeve nga IAL që iu hoq licenca

Studentët të cilët kanë ndjekur studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) privat, të cilëve iu është hequr licenca, mund të aplikojnë për transferimin e studimeve në IAL publike apo private sipas procedurave të Udhëzimit Nr.33, datë 19.09.2014.

IAL–të publike, brenda orës 12:00 të datës 29 shtator 2014 do të përpilojnë dhe shpallin listat e programeve të studimit të ekuivalentuara dhe i vendosin në vende të dukshme në mjediset e rektoratit dhe fakulteteve.

Nga data 29 shtator, deri në orën 12:00 të datës 3 tetor 2014, nga ana e studentëve, kryhet aplikimi, për programet e studimit të ofruara nga fakulteti përkatës, sipas listave të programeve të studimit të ekuivalentuara.

Studentët janë të lirë të aplikojnë në programin e studimit që ata dëshirojnë, të njëjtë ose të ngjashëm me programin e studimit që kanë ndjekur.

Studentët nuk mund të aplikojë për transferimin e studimeve në dy IAL njëkohësisht.

Deri në orën 12:00 të datës 8 tetor 2014, Komisionet e vlerësimit dhe ekuivalentimit të ngritur pranë IAL–ve publike kryejnë vlerësimin dhe ekuivalentimin e dosjeve të kandidatëve që rezultojnë të rregullta duke u shprehur për çdo student aplikant, për vlerësimin dhe njohjen e lëndëve e detyrimeve të shlyera, krediteve të grumbulluara si dhe të periudhave të studimit të njohura.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kuotat e veçanta që do të aprovohen për vitin akademik 2014-2015 për studentët e transferuar nga IAL-të që iu është hequr licenca.

Në po këtë akt, MAS do të propozojë tarifat vjetore të studimit si më poshtë:

Për programet e studimit Bachelor – 110. 000 Lekë (Përveç programeve Bachelor në: arte, sporte, mjeksi, arkitekturë-ndërtim, për të cilat do të propozohet tarifa 290.000 Lekë)

Për programet e studimit Master – 160.000 Lekë

 

UDHËZIM NR. 33, DATË 19.09.2014 “PËR PROCEDURAT E PRANIMIT DHE REGJISTRIMIT, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË PUBLIK DHE PRIVAT, NË VITIN AKADEMIK 2014-2015, TË STUDENTËVE QË TRANSFEROJNË STUDIMET NGA INSTITUCIONET PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË TË CILËVE U ËSHTË HEQUR LICENCA”