Ministry of Education and Sports

Njoftim për shtyp mbi Kontratën Kolektive

Në lidhje me Kontratën Kolektive të Punës për punonjësit e arsimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron si më poshtë:

Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë dorëzuar përkatësisht:

1. Kërkesa Nr. 232 Prot., datë 21.11.2014, “Kërkesë për lidhjen e Kontratës Kolektive të Punës” e paraqitur nga Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, nënshkruese të Kontratës Kolektive në periudhën 2010-2014;

2. Kërkesa Nr. 122 Prot., datë 05.12.2014, për hapjen e bisedimeve, e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Arsimit, Edukimit dhe Shkencës së Shqipërisë.

 

Në vijim të tyre, bazuar në nenin 163, pika “3”, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri shpalljen publike, në çdo DAR/ZA, me shkresë Nr. 203 Prot., datë 14.01.2015 “Mbi fillimin e bisedimeve për lidhjen e Kontratës Kolektive të Punës” të Sekretarit të Përgjithshëm.

Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 159 dhe vijues të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, me Urdhër Nr. 59, datë 09.02.2015, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, u ngrit grupi i punës për shqyrtimin e dokumentacionit dhe zhvillimin e bisedimeve për lidhjen e Kontratës Kolektive të Punës në degën e mësuesisë.

Grupi i punës pasi vlerësoi treguesit e përfaqësueshmërisë (numrin e mësuesve të anëtarësuar në sindikatë) të paraqitur nga subjektet e interesuara, bashkëlidhur kërkesave për fillimin e bisedimeve, konstatoi se treguesit e përfaqësueshmërisë të të dy subjekteve që kanë kërkuar të nënshkruajnë Kontratën Kolektive të Punës me MAS, nuk paraqiteshin në formën e kërkuar në ligj.

Ndaj, Ministria e Arsimit dhe Sportit, me shkresë Nr. 1477 Prot., datë 23.02.2015, kërkoi nga subjektet e interesuara provën e përfaqësueshmërisë, sipas parashikimeve të nenit 164, pika 1, të Kodit të Punës të RSH-së, brenda një afati 15 ditor, duke filluar nga data e njoftimit zyrtar.

Sërish, grupi i punës i mbledhur në datë 19.03.2015, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga subjektet e interesuara.

Pasi shqyrtoi provat e përfaqësueshmërisë të paraqitura në MAS nga subjektet, grupi konstatoi se këto prova nuk plotësojnë formën e kërkuar nga neni 164, pika “1” Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë,  ku thuhet se prova e përfaqësueshmërisë “paraqitet në formën e një vërtetimi noterial, ku noteri vërteton numrin e anëtarëve të organizatës së punëmarrësve, në bazë të kuotizacioneve të paguara gjatë dy vjetëve të fundit ose deklarimeve, me shkrim ose me gojë, të punëmarrësve anëtarë”.

Të dy dokumentet e dorëzuara nga subjektet, paraqiten në formën e deklarimit të njëanshëm të palëve, të cilat deklarojnë nën përgjegjësinë e tyre përpara noterit numrin e anëtarëve të organizatës, duke mos rezultuar kështu asnjë vërtetim i hartuar dhe vërtetuar nga noteri sipas kërkesave të ligjit.

Për sa më sipër dhe bazuar në nenin 164, pika “3” të Kodit të Punës, në cilësinë e punëdhënësit, grupi i punës ka kundërshtuar vërtetimet noteriale të mësipërme, duke i propozuar Ministrit të Arsimit dhe Sportit, ankimimin e çështjes në Zyrën Kombëtare të Pajtimit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur në nenin 159 e vijues, të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Kërkesës Ankimore nr.2787, datë 07.04.2015 drejtuar Zyrës Kombëtare të Pajtimit, ka kundërshtuar vërtetimet noteriale të provës së përfaqësueshmërisë, kërkesë mbi të cilin pritet të shprehet Zyra Kombëtare e Pajtimit sipas dispozitave të Kodit të Punës.

Për transparencë të procesit të negocimit dhe lidhjes së Kontratës Kolektive të Punës në degën e mësuesisë, bëjmë me dije se kjo kontratë dhe nënshkrimi i saj ka efekte dhe pasoja juridike dhe ekonomike, për shkak të numrit të punonjësve në sistemin arsimor që do të përfaqësohen, si dhe kuotizacionet që këto punonjës shlyejnë në favor të sindikatave nënshkruese të kontratës.

Nisur për nga rëndësia  e kontratës dhe përgjegjshmëria e lartë në drejtim të vendimmarrjes, MAS është e vendosur të realizojë këtë procedurë në përputhje me kërkesat e ligjit dhe me transparencë maksimale për publikun.

Kjo sepse vlerësojmë që vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet legjitimitet i pakontestueshëm për subjektet që do të rezultojnë nënshkruese të kësaj kontrate kolektive.