Ministry of Education and Sports

Një arsimi parashkollor cilësor sot, qytetarë  të suksesshëm nesër

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot, reformën në arsimin parashkollor e cila ndër të tjera ka si qëllim që pas vitit 2018-të, çdo fëmijë që përfshihet në arsimin fillestar, të marrë arsim parashkollor cilësor.

Gjatë konferencës së zhvilluar sot, në bashkëpunim me UNICEF, Ministrja Nikolla tha se qeveria e konsideron arsimin si investim që ndikon thelbësisht zhvillimin tërësor të vendit, ndaj ka një rëndësi të veçantë konsolidimi i më tejshëm i nivelit të arsimit parashkollor.

“Zhvendosja nga kurrikula që thekson kryesisht gjithë sa u duhet mësuar fëmijëve, te kurrikula që i aftëson subjektet të veprojnë me efikasitet, shndërrimi i praktikave mësimore nga modelet transmetuese drejt qasjeve më bashkëpunuese, kërkimi i kuptimit të nxënies më shumë se trajtimi i përmbajtjeve abstrakte, janë shembuj të tjerë të shndërrimeve që po përjeton bota e arsimit”, tha Nikolla duke shtuar se  në një botë që ndryshon shpejt, zgjedhja e përmbajtjeve dhe mënyra e ndërtimit të procesit të nxënies janë sfidat që mund dhe duhen përballur.

Ministrja tha ndër të tjera se, për kopshtet e reformuara do të jetë e rëndësishme që fëmijëve t’u ofrohen mënyra alternative për të nxënë gjëra thelbësore. “Ata, përmes ndërveprimeve të larmishme në familje dhe shoqëri, përmes mediave, pse jo dhe internetit të kontrolluar, do të nxënë gjithnjë e më shumë, nga sa nxënë sot në kopshte. T’i rimendojmë kopshtet, ?që nxënia në to të mbështetet më shumë në plane të përshtatura për nxëniet individuale dhe më pak në mësimet e hartuara nga një kurrikul e standardizuar për të gjithë”, tha Ministrja.

Ministrja Nikolla shtoi se MAS po përkushtohet, ndërkaq, që reformat e arsimit të lartë të ndikojnë cilësinë e formimit edhe të mësuesve të arsimit parashkollor, ndaj për këtë qëllim, po i jepet përparësi bashkëpunimit me fakultetet e mësuesisë, me theks në ndryshimet në kurrikulat e reja të Fakulteteve dhe në përgatitjen e mësuesve sipas standardeve profesionale të arsimit parashkollor.

“Nga ana tjetër, politika e trajnim/zhvillimit profesional të mësuesve në sistemin parashkollor do të sigurojë mundësi për njohjen e elementeve të qasjes së re kurrikulare dhe të metodologjive të nxënies në fëmijërinë e hershme, si dhe për përmbushjen e standardeve, për vlerësimin e arritjeve dhe për përgatitjen e fëmijëve për në shkollë”, shtoi me tej Nikolla në fjalën e saj.

Në funksion të përmirësimit të treguesve të nxënies dhe të frekuentimit do të jetë dhe modernizimi i infrastrukturës së kopshteve. “Kujdesi ynë në këtë aspekt do të përfshijë standardizimin e institucioneve parashkollore në aspektet e mjedisit fizik, të sigurisë dhe shëndetit, të ushqim-shërbimit dhe të menaxhimit efikas të burimeve njerëzore”, tha Lindita Nikolla.

Në aspektin organizativ, arsimi parashkollor ofrohet në kopshte dhe në klasa përgatitore. Klasat përgatitore funksionojnë në shkollat e arsimit bazë dhe frekuentohen nga fëmijë të moshës 5 vjeç që nuk kanë ndjekur arsimin parashkollor. Sot, në shkallë vendi, funksionojnë 455 klasa përgatitore; 72 më shumë se vitin e kaluar.

Statistikat tregojnë se, këtë vit shkollor, në vendin tonë funksionojnë 1.876 kopshte, prej të cilëve 117 janë private. Për edukimin parashkollor të fëmijëve përkushtohen 4.444 mësuese, 351 nga të cilat kontribuojnë në kopshte private. Numri i fëmijëve në kopshte publike është 82.112, ndërsa në ato private 5.241.