Ministry of Education and Sports

NISMA PËR HARTIMIN E PLANEVE VJETORE NË SHKOLLA

Bashkëhartimi më prindërit i planeve vjetore të shkollave është nisma e re e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e cila ka nisur këtë fillim-viti shkollor dhe synon të kthehet në një traditë në sistemin arsimor shqiptar, në kuadër të transparencës dhe mirëqeverisjes së institucioneve arsimore, përmes angazhimit të përbashkët të personelit arsimor dhe prindërve të nxënësve.   

Për të ndjekur nga afër procesin e bashkëhartimit të planit vjetor të shkollës së mesme  “Shtjefën Gjeçovi” në Laç, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lindita Nikolla ju bashkua mësuesve dhe prindërve të nxënësve të kësaj shkolle.

Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla cilësoi që ky proces është mjaft i rëndësishëm, pasi nga tani e në vazhdim planet  shkollore do të jenë unike, të standardizuar, transparente dhe jo më kopje formale planesh të hartuara në zyrat e drejtorëve të shkollave.

Nikolla theksoi që sa më shumë mësuesit e prindërit të punojnë së bashku, duke ndarë e zhvilluar përgjegjësi,  aq më shumë arritjet e fëmijëve bëhen të dukshme dhe aq më shumë u shërbehet nxënësve me cilësinë e merituar në arsim.

“Në të gjithë Shqipërinë ne kemi ndërmarrë një nismë e cila garanton që planet shkollore do të jenë produkt i një pune të përbashkët mes mësuesve dhe prindërve, duke eliminuar praktikën e deri tanishme të hartimit të planeve në mënyrë rutinore, sepse sa më shumë prindërit e mësuesit të jenë bashkë për të ndarë e zhvilluar përgjegjësi të reja aq më shumë arritjet e fëmijëve bëhen të dukshme dhe aq më shumë ne u shërbejmë fëmijëve tuaj me cilësinë e merituar në arsim. Ky është një angazhim real për përmirësimin e veprimtarisë së shkollave, sepse i garanton çdo prindi të jetë në dijeni se çfarë po ndodh me procesin e dijes në çdo klasë të këtij gjimnazi, sa aktivitete janë programuar në kuadër të këtij plani, si do të zbatohen këto aktivitete dhe sa i shkojnë përshtat talentit por edhe cilësive të tjera të fëmijët tuaj këto aktivitete dhe ky plan”.

Gjithashtu nga gjimnazi “Shtjefen Gjeçovi” në Laç Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla, përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur mësuesit dhe për të qenë krah tyre në përmbushjen e misionit fisnik të përçimit të dijes.  

“Me mësuesit e kësaj shkolle dua të ndaj edhe një zotim të qeverisë shqiptare që është angazhimi për të qenë krah jush e për t’ju mbështetur në punën tuaj.  Në këto 100 ditë të para qeverisje mbështetja e mësuesve do të  kryefjala e punës tonë. Ne do të jemi krah jush me kualifikim cilësor, të paraprirë nga testimi mbi nevojat që ne bëmë për çdo mësues. Padyshim që rritja e pagës për mësuesit deri në masën 40% është një tjetër angazhim i qeverisë për të qëndruar pranë çdo mësuesi, pasi mësuesit janë heronjtë e vërtetë të Shqipërisë. Ju bëj thirrje prindërve, duhet tu besojmë mësuesve, ata janë heronjtë që edukojnë ditën e syve tuaj, prandaj të gjithë  duhet të jemi krah mësuesve për të kuptuar jo vetëm punën e tyre por edhe për të mbështetur së bashku me ta arritjet e fëmijëve në çdo orë mësimi.”

Në gjimnazin “Shtjefën Gjeçovi” në Laç, i cili është tërësisht i rikonstruktuar, mësojnë rreth 840 nxënës.