Ministry of Education and Sports

Turin e llogaridhënies publike të qeverisë, ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë e filloi nga qyteti i Kavajës me mësues, nxënës e prindër. Gjatë një bashkëbisedimi të hapur ministrja Lindita Nikolla i informoi mbi punën e bërë gjatë 6 muajve të parë të kësaj qeverie dhe specifikisht të ministrisë që ajo drejton, duke identifikuar edhe fokusin ku është përqendruar ky dikaster gjatë këtij mandati. Ndërsa nënvizoi se gjatë këtij viti Qarkut të Tiranë do t’i shtohen 3 shkolla të reja, falë investimit të Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me Bashkitë. Reforma e kurrikulës dhe e teksteve që filloi gjatë 4 viteve të shkuara, përmbyllet vitin që vjen në arsimin parauniversitar deklaroi Nikolla por sipas saj ende ka shumë për të bërë pasi fëmijët e shqiptarëve meritojnë më shumë mësues cilësor dhe mësimdhënie bashkëkohore. Ndaj nga viti që vjen Nikolla deklaroi se çdo shkollë do të ketë inspektorin e saj për të anashkaluar problematikat e hasura.

“Në këto 4 vite besoj që së bashku me ju ne ja dolëm të ndryshonim qasjen në sistemin tonë të arsimit parauniversitar duke implementuar një kurrikul të re të përshtatur edhe me atë që ishte reforma jonë e teksteve shkollore. Vitin tjetër përmbyllim gjithë reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar. Unë jam kokulur në detyrën time si ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që ende nuk kemi shkuar në ato standarde që fëmijët tuaj meritojnë për atë që është modeli, shembulli që është mësuesi. Kemi filluar me një proces të ri rekrutimi përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Testimi në kompjuter dhe në kohë reale, çdo mësues që testohet merr përgjigje, kështu do të bëjmë edhe procesin e rekrutimit. Pra ndryshojmë faktin që mësuesit duhet të takojnë drejtorin e zyrës arsimore. Ndërsa Shkolla e Drejtorëve do të mundësojë kualifikimin për çdo drejtues shkolle që janë aktualisht. Që me vitin e ardhshëm shkollor ne rikthejmë inspektimin në çdo shkollë të Shqipërisë. Do të jetë syri monitoruesi i standardeve dhe problematikave, i ngritjes së alarmit, jo kur të ketë mbaruar viti shkollor dhe kur të shohim përmes mediave ndonjë mësues që dhunon apo ndonjë mësues që abuzon me detyrën por do të kemi gjithë informacionin në kohë reale për të ndërhyrë në kohë reale për të gjitha këto problematika. 3 lëndë në 6 orë ishte një nga nismat dhe betejat që u fitua që në javën e parë. Mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë, ne do ecim edhe më shumë tek nxënësit por ky është parakushti i parë” deklaroi Nikolla

Studentët që kanë përfunduar studimet për mësuesi mbesin në numër të lartë në provimin e shtetit. Ky fakt sipas ministres së Arsimit meriton të adresohet dhe kjo situatë duhet përmirësuar, ndaj reforma e mësuesisë që sapo ka nisur do të sjellë ndryshimin që gjatë këtij viti në sistemin tonë shkollor.

“Unë nuk mund të mbyll sytë dhe të bëj sikur nuk shoh kur në provimin e shtetit ngelin edhe 60% e të diplomuarve në fakultetet tona. Mendoni janë studentë që kanë shpenzuar 5 vite nga jeta e tyre për të mbaruar “Bachelor” dhe “Master” në mësuesi, kanë bërë një vit praktikën profesionale dhe vijnë dhe ngelin në provimin e shtetit. Reforma jonë e mësuesisë besoj do të fillojë dhe t’i japë frytet e veta. Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të lejojë më që në shkolla të shkojnë mësues pa arsimin përkatës, mësues të dobët, mësues që i zgjedh politika dhe ministrja dhe jo merita e tyre dhe nga ana tjetër ne nuk do çojmë drejt universiteteve maturantët më të dobët. Ne kemi rritur notën mesatare sivjet 7 për ata maturantë që do të zgjedhin programet e mësuesisë dhe nga ana tjetër do të mbulojmë bursat e gjithë maturantëve që zgjedhin mësuesinë me notë mesatare mbi 9. Me profesorët e nderuar po punojmë jo vetëm të përafrojmë në masën 80% të kurrikulave, që të kemi garanci që mësuesit që formohen në Elbasan, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër ashtu sikurse edhe mësuesit në universitetin e Tiranës. Do të ishte e turpshme dhe një abuzim i rëndë me detyrën nëse unë nuk do ti thoja këto të vërteta dhe të ndërhynim që të fillonte kthesa, dhe që unë e besoj fort që ne që sivjet do të kemi një histori të re. Nëse ne mesataren do ta rrisnim do ta çonim tek 8-ta, shumë programe universitare do të mbylleshin për shkak se nuk do të mundeshin që maturantët të ndiqnin këto programe.”-theksoi Nikolla

Shtimi i mësuesve ndihmës në shkolla dhe shtrirja e projektit bëjmë detyrat e shtëpisë edhe në shkollat e Kavajës ishin ndër kërkesat kryesore të prindërve të nxënësve të këtij qyteti.

“Kërkesa jonë është kjo, shkolla ‘Rilindja’ të bëhet pjesë e projektit të suksesshëm të shkollave që bëhen detyrat e shtëpisë në shkollë. Do ishte një ndihmë jashtëzakonisht e madhe.”-deklaroi një prind

“Do të doja që jo vetëm shkolla ‘Rilindja’ por të gjitha shkollat të përfshiheshin në këtë projekt. Sepse është thelbi i barazisë në arsim ku fëmijët jo vetëm orën e mësimit por edhe për t’u përgatitur për të nesërmen kanë të njëjtin burim që është mësuesi.”-nënvizoi ministrja e Arsimit

“Kam dy mësues ndihmës në bashkëpunim dhe me psikologen e shkollës është një zgjidhje e duhur për ata nxënës”- deklaroi një nga drejtoreshat e shkollave.

“Sot kemi rreth 600 mësues ndihmës në sistemin tonë për fëmijët me aftësi ndryshe por me ambicien që brenda këtij mandati të mundësojmë për çdo fëmijë që ka nevojë për ndihmën e një mësuesi ndihmës ai ta ketë në shkollë. Po punojmë me universitetet që të kenë programe të dedikuara për mësues të pedagogjisë speciale që edhe kjo asistencë të jetë cilësore dhe e dedikuar në të gjitha kuptimet që kërkon pedagogjia speciale.”- ju përgjigj Nikolla

Nikolla premtoi se takime të tilla të hapura do të vijojnë ku shqetësimet e komunitetit të prindërve dhe mësuesve do të adresohen duke sjellë edhe ndryshimet e pritshme në institucionet tona arsimore.{:}