Ministry of Education and Sports

 Nikolla: Arsimi dhe shkolla shqipe ka ende nevojë për mësuesit e vjetër

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, me rastin e 7 Marsit, shtroi një drekë në Vilën Qeveritare Nr. 31 për nder të mësuesve të dalluar ndër vite dhe që sot janë në pension.

Ministrja uroi gjithë mësuesit e vjetër dhe i falënderoi ata për kontributin e tyre në arsim, duke theksuar nevojën që ka shkolla dhe arsimi për përvojën dhe profesionalizmin e tyre.

“Sot, në një ditë feste siç është dita e 7 Marsit, dita e mësuesve, dita e shkollës shqipe, unë do të doja që secilit prej jush jo vetëm t’i përulesha thellësisht me një falënderim dhe një mirënjohje të madhe për gjithçka që keni bërë në vitet tuaja të punës për arsimin shqiptar, në të gjitha profilet, por ajo që është më e rëndësishme t’ju drejtohem me një ftesë të sinqertë pasi ne kemi ende nevojë për ju. Kemi sinqerisht nevojë për përvojën tuaj, për dedikimin tuaj, për profesionalizmin tuaj, ndaj mos nguroni jo vetëm të na kritikoni kur punët nuk ecin siç ju do të dëshironit, por qëndroni pranë shkollës ku ju jetoni, qëndroni pra mësuesve të rinj, qëndroni pranë nxënësve sepse vetëm kështu ne do të arrijmë të përmirësohemi dhe do të bëjmë më të mirën në arsim”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se tek secili mësues sheh arsyet e forta të mendjes dhe të zemrës, për të mos u ndalur dhe për të bërë më të mirën në emër të një cilësie të re në arsim.