Ministry of Education and Sports

Nikolla: Arsimi cilësor, baza për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm

Ministeriali i Arsimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili për herë të parë zhvillohet në Shqipëri, ka nisur mesditën e sotme punimet në qytetin e Vlorës.

Fjala e hapjes së punimeve u mbaj nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila vlerësoi Platformën e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim, që sipas saj ofron hapësirën dhe mjetet më efikase për të avancuar në reformat arsimore duke ndarë praktikat më të mira, por edhe vështirësitë.

“Sot, vendet tona përballen me të njëjtat sfida sociale dhe ekonomike. Në këtë kuadër,     rëndësia e arsimit cilësor dhe të kualifikimit korrekt është baza për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ndaj Qeveria Shqiptare mori përgjegjësinë për ndërhyrje të plota dhe të thella në sistemin arsimor, që ishte lënë inertsisë e gati gati në rënie të lirë,  duke filluar menjëherë reformat në tërë sistemin për mos të humbur më asnjë ditë”, tha Nikolla.

Duke folur për reformat e institucionit që ajo drejton në drejtim të arsimit parauniversitar, Ministrja tha se vendosja e prioritetit të investimit që në moshën e hershme në edukim ka sot, produktet e veta.

Ndërsa në lidhje me reformat në arsimin e lartë, Ministrja Nikolla tha se kjo reformë, e cila u parapri nga bërja e transparencës mbi gjendjen e arsimit të lartë në vend nëpërmjet një procesi, si ai i verifikimit të kushteve të ligjshmërisë në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, synon rritjen e cilësisë në të gjithë sistemin pa cënuar aspak mundësitë e të rinjve për tu arsimuar

“Cilësia mund të rritet ndjeshëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimeve akademike dhe me projektet e përbashkëta rajonale me institucione të vendeve anëtare. Asistenca e BE-së në këtë drejtim ka qenë thelbësore. Kështu, projektet “TEMPUS” dhe shkëmbimet “Erasmus Mundus”, sot “Erasmus Plus”, kanë mundësuar që universitet të rrisin kapacitetet dhe cilësinë e burimeve njerëzore përmes mobiliteteve  e trajnimeve të studentëve dhe stafeve akademikë dhe administrative të universiteteve shqiptare.”, tha Lindita Nikolla.

Në takimin e Ministrave të Arsimit të Ballkanit Perëndimor në Vlorë, do të paraqitet një përmbledhje e ecurisë së reformave në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor dhe e sfidave me të cilat duhet të përballemi gjatë zbatimit të këtyre reformave.

Gjithashtu do të bëhet prezantimi i Studimit mbi Arsimin e Lartë kryer nga ekspertë, profesorë të “London School of Economics” dhe universiteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ministerialet e organizuara më parë janë shoqëruar me një serë konferencash me fokus kryesor arsimin e lartë, studime mbi trajnimin e mësimdhënësve në vendet e rajonit, pjesëmarrja në programin “Erasmus+” dhe impakti i projekteve si “Tempus”, “Erasmus Mundus” në vendet e rajonit.

 

Fjala përshëndetëse e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Takimin e IV-t Ministerial të Platformës për Arsim dhe Trajnim të Ballkanit Perëndimor (2-3 korrik 2015)