Ministry of Education and Sports

Nënshkruhet marrëveshja me Agjencinë Britanike për akreditimin e IAL-ve në Shqipëri

Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me ''Quality Assurance Agency'', agjencinë britanike të akreditimit, anëtare e ENQAS, Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Kjo marrëveshje do të mundësojë në ditët në vijim akreditimin dhe rankimin cilësor të të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL), publike e private.

Pas kontrollit të kritereve të ligjshmërisë, që MAS zhvilloi për herë të parë në të gjitha IAL-të në vend, akreditimi nga QAA shënon fazën e dytë të reformimit rrënjësor të arsimit të lartë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, në prani të Kryeministrit të vendit, Edi Rama, Ministrja Nikolla tha se nënshkrimi i marrëveshjes me Quality Assurance Agency (QAA) është një pikë kulmore në arsimin e lartë sepse do të thotë verifikim i kritereve të cilësisë, sipas standardeve evropiane të arsimit të lartë.

“Ndaj, i nderuar Z. Ambasador, të nderuar rektorë, akademikë, ekspertë të agjencisë britanike lejomëni të ndaj sot, qartazi publikisht vullnetin dhe vendosmërinë tonë se kemi nevojë për ekspertizën tuaj në arsimin e lartë, publik e privat. Dhe kjo nevojë jo për të thënë se ishim ne që nënshkruam një marrëveshje me agjencinë e mirënjohur britanike. Por për të bërë transparente vlerësimin tuaj. Të vendosur për të zbatuar çdo rekomandim tuajin, të vendosur për të mbështetur IAL-të në rrugën e cilësisë e të vendosur për të mbyllur të tjera institucione apo programe që nuk ofrojnë cilësinë, nëse ky do të jetë vlerësimi juaj profesional”, tha Nikolla.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Sallën e Hartave në Kryeministri, Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo është një ditë e shënuar në rrugën e reformimit rrënjësor të Arsimimit të Lartë dhe ka një arsye shumë të fortë për të qenë të inkurajuar dhe optimist lidhur me ecurinë në këtë rrugë, pasi faza e dytë e reformës çelet duke pasur në krahë një partner me virtyte të padiskutueshme.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se kjo është një sfidë që fillon, por nuk mbaron me skanimin e parë të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Ashtu sikundër jemi të vetëdijshëm se lufta për cilësinë dhe për rritjen e vazhdueshme të cilësisë është një sfidë shumë më e vështirë, sesa përpjekja dinjitoze që na çoi në mbylljen e 18 institucioneve të Arsimit të Lartë, njëra ndër të cilat kishte arritur që të jepte gjysmën e diplomave të dhëna nga gjitha të tjerat, sëbashku”, tha Kryeministri Rama.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Cannon e vlerësoi reformën në sistemin universitar si një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Qeveria shqiptare.

Shefi ekzekutiv i ''Quality Assurance Agency'', Stephen Jackson tha se puna e kësaj agjencia, me eksperiencë në procesin e akreditimin, nuk i vlen vetëm studentëve, por edhe publikut për pritshmërinë e tij për arsimin e lartë.

Procesi i akreditimit të IAL-ve do të ketë dy faza. Faza e parë është ajo e akreditimit të institucionit, që ka të bëjë me mënyrën si funksionon ai, kurse faza e dytë është ajo e akreditimit të programeve të studimit që ka të bëjë me mënyrën sesi zhvillohet një lëndë në një degë të caktuar.

QAA është themelua në vitin 1997 si një shërbim për sigurimin e cilësisë dhe për ofruesit e arsimi të lartë në Mbretërinë e Bashkuar me misionin e mbrojtjes së standardeve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar (ALMB). QAA ka si objektiv mbrojtjen e interesave të cilitdo që punon për t’u kualifikuar më tej në ALMB, sido dhe kudo që studion, brenda Mbretërisë së Bashkuar apo jashtë saj. 

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me agjencinë britanike të akreditimit, QAA.