Ministry of Education and Sports

Nënshkrimi i Konventës mbi Manipulimin e Garave Sportive të Këshillit të Evropës

Marrëveshja e Pjesshme e Zgjeruar  në Sport (EPAS) e Këshillit të Evropës dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Sporteve të Austrisë, organizuan në Vjenë, në datat 2-3 qershor 2016,  konferencën me temë “Azil kërkuesit e sapoardhur dhe integrimi i tyre nëpërmjet sportit”. Në këtë konferencë Shqipëria u përfaqësua nga Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Rauf Dimraj.

Gjatë konferencës u diskutua mbi mundësinë e përdorimit të sportit si mjet për të rritur integrimin e emigrantëve. Gjithashtu, u diskutuan dhe u shkëmbyen praktikat më të mira evropiane, në nivel qendror dhe lokal, mbi mënyrën se si klubet sportive dhe trajnerët po punojnë për të kultivuar tolerancën dhe përfshirjen sociale, në kuadër të jetësimit të politikave efektive të integrimit.

Të gjithë politikëbërësit, autoritetet administrative, organizatat sportive, specialistët e migrimit dhe të integrimit, si dhe organizatat jo-qeveritare, vlerësuan dhe përcaktuan rolin e sportit, si një mbështetje efikase për strategjitë e integrimit social.

Në këtë konferencë, Zëvendësministri Dimraj, në emër të Republikës së Shqipërisë,  nënshkroi Konventën mbi Manipulimin e Garave Sportive të Këshillit të Evropës.

Manipulimi i garave sportive, si aktivitet i lidhur me mashtrimin, krimin e organizuar e korrupsionin paraqet një kërcënim për të ardhmen e sportit, integritetin dhe vlerat e tij.

Nënshkrimi i kësaj Konvente përbën një angazhim të plotë të vendit tonë në luftën ndaj praktikave korruptive dhe mashtruese në sport, si dhe vjen si një hap që do të mundësojë zhvillimin e sportit bazuar në konceptet e demokracisë pluraliste, shtetit ligjor, të drejtave të njeriut dhe etikës sportive.