Ministry of Education and Sports

Në solidaritet për sulmin në Universitetin Garissa në Kenia

Shoqata e Universiteteve Evropiane i drejtohet të gjithë universiteteve evropiane për t’u solidarizuar në ndihmë të viktimave të sulmit makabër në Universitetin Garissa në Kenia, ku humbën jetën 147 studentë të pafajshëm. Kjo thirrje solidarizimi vijon apelin njerëzor për të ndaluar të gjithë aktet e dhunshme në ambientet universitare, kundër studentëve dhe vlerave akademike.

Në këtë kontekst, duke dënuar ashpër sulme të tilla në arsim, të cilat dhunojnë lirinë e mendimit, të shprehjes si dhe lirinë akademike, Ministria e Arsimit dhe Sportit fton të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë në vend t’i bashkohen kësaj nisme solidare duke mbajtur një minutë heshtje, për studentët e vrarë më 2 prill të këtij viti në Kenia, ditën e hënë datë 27 Prill 2015, ora 12:00

Ministria e Arsimit dhe Sportit, i bashkohet dhe mbështet nismën e ndërmarrë nga Shoqata e Universiteteve Evropiane dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit të solidarizohen dhe të kontribuojnë në të ardhmen për mbrojtjen e këtyre të drejtave universale.