Ministry of Education and Sports

Në qendër të ligjit të ri studenti dhe dija. Nuk ka rritje të tarifave të studimit

Sot vijmë pas një nate të gjatë, por të suksesshme, atë të kalimit të ligjit të ri për Arsimin e Lartë, i cili do të sjellë një ndryshim masiv e cilësor për të gjithë studentët e brezave që vijnë.

Përtej gjithë fanfarës e zhurmës së ngritur nga ata që nuk e duan ndryshimin, ky ligj do të sigurojë arsim të lartë më cilësor, mundësi më të mëdha për arsim për studentët në nevojë, nxitje për të rinjtë për të ndjekur studimet në degët prioritare apo në degët e mbrojtura, si dhe zhvillim të cilësisë dhe ekselencës.

E thënë qartë dhe prerë:

Asnjë lek nuk do të paguajnë studentë që vijnë nga familjet e varfra; asnjë lek nuk do të paguajnë studentë që kanë meritën dhe do të preferojnë të vijojnë studimet e larta universitare në degët e mbrojtura apo në degët prioritare të zhvillimit të vendit dhe sigurisht; asnjë lek studentët e ekselencës. Për të gjitha këto kategori, ligji mundëson bursa nga shteti.

Sot, ndërkohë që ne kemi edhe një vit të plotë, tërë kohën e mundshme, por edhe asistencën e nevojshme ndërkombëtare që ky ligj të implementohet me sukses në vitin e ardhshëm akademik, Këshilli i Ministrave miratoi për herë të fundit, sa kohë që kjo mundësi e re do t’u lihet universiteteve, kuotat dhe tarifat e studimit. Numri total i kuotave që akordohen këtë vit akademik është 20.211, më shumë sesa në vitin që ne mbyllëm.

Sigurisht, tarifat e studimit, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, janë të njëjta si ato që ishin edhe në vitin e shkuar akademik.

Përkundër gjithë paragjykimit të ngritur, nuk do të ketë asnjë rritje të tarifave të studimit për studentët. Ato mbeten të njëjta me ato të një viti më parë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, qeveria shqiptare, gjatë gjithë këtyre dy viteve, në secilin vendim për të përcaktuar kuotat në institucionet tona të arsimit të lartë, tarifat në vendimet e marra për hapjen e programeve të studimit, ca më shumë në vendimmarrjen tejet të rëndësishme për mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë piramida, punën në bashkëpunim me agjencinë britanike për akreditimin dhe së fundmi, aprovimin e ligjit të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet tona të arsimit të lartë, ka pasur një dhe vetëm një vëmendje maksimale: studentin dhe të rinjtë shqiptarë. Atë çka është më e mira për ta dhe shpërblimin e mundit të tyre dhe të prindërve të tyre, me dije dhe diploma që kanë vlerë.