Ministry of Education and Sports

Në festën e nxënësve të Qarkut të Tiranës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme pasditen e sotme në aktivitetin festiv, organizuar nga Drejtoria Rajonale Tirana Qark, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse Ministrja ndër të tjera shprehu vendosmërinë e qeverisë për të bërë të mundur që historia të shkruhet vetëm nga historianët dhe i ftoi të gjithë këta për ta shkruar atë objektivisht, pa ndërhyrjen e politikës.

“Historia ka ndodhur vetëm një herë dhe ajo nuk mund të rishkruhet në varësi të ndryshimit të pushteteve. Ftesa për historianët është e hapur, për ta shkruar objektivisht, bazuar në fakte historinë e Shqipërisë. Historinë që do edukojë brezat e rinj jo vetëm me krenarinë e fakteve, por ajo që është më e rëndësishmja, t’i edukojë larg gjuhës së urrejtjes për vendet e tjera”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja shtoi se 29 Nëntori i vitit 1944 ishte një ditë që falë gjakut dhe mundit të djemve e vajzave shqiptarë, e vendosi Shqipërinë në hartën e fitimtarëve dhe nuk ka më bukur se kjo festë të vijë përmes performancave të djemve e vajzave të talentuar.

Aktiviteti i shkollave të qarkut të Tiranës, solli në mënyrë artistike ngjarjen historike të Çlirimit të vendit, përmes performancavë në valle, këngë, recitime, etj. Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në vend, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore, po organizojnë këto ditë disa aktivitete  me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.