Ministry of Education and Sports

Ndërtohet fidanishtja e parë ekologjike në shkollat 9 vjeçare në Shqipëri - Qendra EPER

Në shkollën 9 vjeçare “1 Maji” të qytetit të Beratit, përfundoi ndërtimi i fidanishtes së parë në një shkollë 9 vjeçare në Shqipëri. Ndërtimi i kësaj fidanishte ka për qëllim të kontribuojë në shndërrimin e shkollave 9 vjeçare në shkolla ekologjike.

Fidanishtja ekologjike shtrihet në pjesën jugore të oborrit të shkollës 9 vjeçare “1 Maji” në Beratit, me një sipërfaqe prej 220 m2. Ajo u ndërtua mbi një moçalishte, e cila pas ndërhyrjeve inxhinjerike është shndërruar jo vetëm në një laborator ekologjik për fëmijët e shkollës por edhe në një vend rekreacioni për komunitetin për rreth.

Në brendësi të saj janë të vendosura rreth 1500 fidanë të 30 llojeve të ndryshme të bimëve dekorative. Rreth 450 fidanë janë vendosur në serrën e fidanishtes, ndërsa pjesa tjetër është mbjellë në mjedisin e jashtëm të saj. Përveç serrës 16 m2 e cila shërben si një dhomë laboratori ekologjik për shkollën, me stenda dhe tavolina pune, fidanishtja është e paisur me mjete didaktike për fëmijët, si: lopata, kazma, capa, krëhëra, bela, karroca, vaditëse, kunja për mbjellje apo vazo të përmasave të ndryshme. Mbi 90 % e materialeve të përdorura për ndërtimin e saj, janë materiale të riciklueshme (metale, drurë dhe plastikë).

Ndërtimi i  fidanishtes në shkollën 9 vjeçare “1 Maji”, ndihmon në rritjen e biodiversitetit urban dhe krijimin e korridoreve të gjelbërta brenda qytetit të Beratit.

Paralelisht me efektet në mjedis, fidanishtja ekologjike e ndërtuar, krijon një model drejt decentralizimit financiar të shkollës.

Ky model edukimi shkollor dhe komunitar  vjen edhe në kuadër të nismës së Qeverisë Shqipëtare për “Shkollën si qendër komunitare një shkollë miqësore për të gjithë”, ku krijimi i një mjedisi të shëndetshem zë një vend të rëndësishëm në këtë nismë. 

Ndërtimi i shkollave ekologjike nëpërmjet praktikës së decentralizimit financiar, shndërron edukimin mjedisor dhe shërbimet mjedisore për shkollën në më efiçente dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu aplikimi i invesimeve ekologjike për shkollën krijon një lidhje më të fortë fëmijë – mjedis, si edhe rrit aftësinë dhe veprimet e mira të fëmijëve për mjedisin. E gjitha kjo kontribuon në shndërrimin e edukimit mjedisor nga një nga edukim formal në një edukim joformal, me ndikime të jashtëzakoshme edhe për tej shkollës.

Ndërtimi fidanishtes në shkollën 9 vjeçare “1 Maji” vjen pas ndërtimit të klubeve ekologjike të shkollave ku po realziohet ky investim dhe ngritjes së kapaciteteve lokale për të përqasur skema inovative për shkollat ekologjike në Shqipëri.

Qendra EPER në bashkpunimin me Institutin e Zhvillimit Arsimit po përgatisin udhëzuesit, “Kopshti Ekologjik i Shkollës” për mësuesin dhe “Kopshti Ekologjik i Shkollës” për nxënësin. Këto udhëzues do të ndihmojë aktorët e shkollës në realizimin e shërbimeve të nevojshme për mirëmbajtjen e fidanishtes së ndërtuar. Gjithashtu ka filluar procesi i realizimit të marrveshjeve të bashkpunimit midis shkollës dhe bizneseve të gjelbërimit në rajonin e Beratit.

Fidanishtja ekologjike e shkollës 9 vjeçare "1 Maji" në Berat, u ndërtua nga Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER) dhe Bashkia Berat me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, në kuadër të projektit “Shkollat Ekologjike në Qytetin Tim”. Ky projekt është bërë i mundur nga një grant i REC në kuadër të programit SENiOR-A “Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri”. Ky program është financuar nga Qeveria Suedeze.