Ministry of Education and Sports

Modeli i Kombeve të Bashkuara: Një aleat i çmuar në luftën për zhvillim dhe paqe

Ditën e premte Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në hapjen e Konferencës “Modeli i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë 5”, ceremoni e zhvilluar në ambientet e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë. 

Kjo Konferencë u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në partneritet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrën e Koordinatorit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Korpusin e Paqes dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj Konference, përveç ministres Nikolla, ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë z. Alexandër Arvizu, Koordinatorja e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjellou, Drejtori i Korpusit të Paqes, z. Earl Wall dhe drejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, z. Aleksandër Sarapuli dhe z. Martin Mata.

Qëllimi i kësaj konference ishte mundësimi i pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në Modelin e Kombeve të Bashkuara, për të forcuar në këtë mënyrë aftësitë e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, negociatat, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes rezolutave dhe pjesëmarrjes, duke luajtur funksione reale.

Në këtë konference  marrin pjesë 125 nxënës nga 15 shkolla të vendit dhe së bashku me ta janë të përfshirë 15 mësues dhe vullnetarë të korpusit të paqes, të cilët gjatë  7 muajve kanë përgatitur konferencën.

 

 

Fjala e plotë e Ministres Nikolla në Konferencën kombëtare: “Modeli i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë 5”:

 

I nderuar z. Kryetar i Parlamentit,

I nderuar z. Ambasador Arvizu,

E nderuar znj. Benjellou dhe z. Wall,

Te dashur të rinj e të reja,

 

Bashkëpunim dhe pjesëmarrje! Nëse është e vërtetë që e ardhmja e një kombi janë të rinjtë, atëherë ata janë kombi.

400 konferenca me pjesëmarrjen e më shumë se 200.000 nxënësve të shkollave të mesme, kolegjeve dhe universiteteve më të njohur në botë. Janë këto shifrat që më entuziazmuan, ndërkohë që mendoja për takimin e sotëm dhe fjalën që do të mbaja. Jam e entuziazmuar që ne jemi pjesë e kësaj iniciative globale që zhvillohet çdo vit në 35 vende të ndryshme. 

Është i rëndësishëm për ne promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit. 

Është e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi  të marrin pjesë në Modelin e Kombeve të Bashkuara, për të forcuar aftësitë e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, negociatat, menazhimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes rezolutave dhe pjesëmarrjes  duke luajtur funksione reale.

E ardhmja e kombeve është paqe dhe bashkëpunim dhe ne ndajmë me ju bindjen se ky rrugëtim kalon nëpërmjet krijimit të hapësirave gjithnjë e më të mëdha në drejtim të aktivizimit të çdo qytetari, të çdo të riu e të reje, forcimin dhe promovimin e pjesëmarrjes së tyre. 

Lejomëni që duke parafrazuar fjalën e ish-Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, të theksoj se ne i shohim Kombet e Bashkuara si një instrument i mirë në shërbim të popujve, si një aleat të vlefshëm në luftën për zhvillim dhe paqe.

Me anë të këtij modeli, të rinjve u krijohet mundësia për të  punuar dhe për t’u  argëtuar së bashku duke zhvilluar njohuritë e tyre, duke marrë përsipër role dhe situata të ndryshme të para nga një këndvështrim i ri. Të rinjtë kanë mundësinë për të kontribuar drejt një të kuptuari të gjerë dhe aftësive për të krijuar dhe ruajtur situata paqësore, për të shprehur ide të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut dhe barazisë në shoqëri. 

Komunikimi për të kapërcyer barrierat dhe ndasitë dhe krijimi i një platforme për bashkëveprim rajonal midis  nxënësve, shkëmbimi i ideve për çështje të interesit global, çojnë drejt aftësimit për krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit për një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale në rajon e më gjerë. 
Ky model i ofruar sot nga ky projekt e vendos, në këndvështrimin tonë, shkollën në dimensionin e saj më të natyrshëm: shkolla si vatra e edukimit, përvetësimit të parimeve dhe vlerave të botës demokratike. 
 
Kurrikula shkollore synon dhënien e njohurive sa më afër çështjeve, të cilat janë në qendër të zhvillimeve të sotme , krijimin e vlerave  dhe aftësimin e nxënësve për jetën  dhe praktikimin e këtyre aftësive, por kjo konferencë dhe formati i saj  prezantojnë dhe modelojnë kapacite formuese  për nxënësit në një botëkuptim më të gjerë e më të plotë. 

Sot, ju të dashur të rinj e të reja e keni të qartë se të jesh  qytetar i botës demokratike do të thotë të marrësh pjesë në mënyrë aktive në jetën social-ekonomike të vendeve tona, duke dalë përtej kufijve kombëtare, duke e parë njeri-tjetrin në sy, duke e rrokur tjetrin në diversitetin e tij të plotë, duke u shprehur pa droje.

Përmes modelesh të tilla të gjithë ne mundësojmë ndërgjegjësimin e nxënësve për të mësuar më shumë rreth çështjeve globale, rolit dhe funksionit të  Kombeve të Bashkuara,  por edhe krijojmë një brez të ri të aftë për të bashkëpunuar, i cili  përmes  debatit të kulturuar mund të shprehen për çështje të caktuara, qoftë edhe të nivelit global.

Juve, nxënësve dhe të rinjve do t’u japim të gjithë mbështetjen për zhvillimin e aftësive drejtuese, të të  folurit në publik dhe negocimin për zgjidhje konfliktesh, sepse jeni ju ata që do të merrni dhe do të çoni më tej fatet e vendit dhe më gjerë.

Lejomëni ta mbyll fjalën time duke falënderuar partnerët tanë ndërkombëtarë, Kombet e Bashkuara, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Korpusin e Paqes, të cilët asnjëherë nuk janë kursyer për të dhënë gjithë kontributin dhe mbështetjen e tyre që të rinjtë tanë të jenë gjithmonë pjesë e programeve edukuese dhe zhvilluese të dijes, si qytetarë të rinj globit. 

Modeli i Kombeve te Bashkuara është një mjet për sigurimin e trajnimit për çështjet në marrëdhëniet ndërkombëtare, negocimin për paqe dhe zhvillim.

Suksese dhe urime për hapjen e Konferencës: “Modeli i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë 5”.

Ju faleminderit!