Ministry of Education and Sports

Përshëndetje,

Dua t’ju jap disa informacione për vitin e ri shkollor.

Sivjet, sikurse edhe njoftuam prindërit dhe nxënësit vjet, përfshimë klasën e pestë në nismën e librave falas duke mbuluar të gjithë nxënësit e klasave fillore dhe të gjithë të tjerë të kategorive të veçanta, si aftësi e kufizuar, asistencë sociale, që i përkasin minoriteteve gjuhësore.

Në total, sivjet janë rreth 220,000 nxënës që përfitojnë libra falas dhe këtë e kemi arritur duke mbajtur të njëjtin tavan buxhetor, por duke shfrytëzuar librat nga vjet.

Librat e klasës së parë dhe fletoret e punës do zëvendësohen çdo vit, ndërsa për klasat e tjera do të ripërdoren për aq sa është e mundur librat nga vitet e kaluara.

Sivjet kemi arritur të kthejmë në shkolla, në gjendje të mirë, nga 85% të librave. Duke hequr ato të klasës së parë që i zëvendësojmë, një pjesë e madhe e librave të klasave 2-4 janë të ripërdorshme.

Kjo është arritur falë kujdesit që kanë treguar prindërit, nxënësit dhe mësuesit dhe dua t’ju falënderoj për këtë.

Nëse tregojmë kujdes përsëri sivjet do arrijmë që pa rritur shumë buxhetin të përfshijmë edhe nxënësit e klasave 6 dhe 7, pastaj vitin tjetër klasat 8 dhe 9 dhe kështu të mbulojmë gjithë arsimin e detyrueshëm, siç kemi premtuar.

 

Sivjet janë mbyllur edhe ndryshimet në kurrikula dhe tekste shkollore që kanë filluar të zbatohen në vitin 2014. Sot, të gjithë nxënësit punojnë me tekste të reja, kurrikula të përmirësuara që bëjnë ndërlidhjen më të mirë të njohurive që merren mes viteve të shkollimit si dhe mes lëndëve të ndryshme.

Tekstet, një pjesë janë adoptuar nga botuesit e njohur botëror në kontekstin shqiptar dhe pa asnjë dyshim kanë përmirësuar cilësinë e punës në shkolla me lëndët e matematikës dhe shkencave.

Ajo që do bëjmë sivjet është të shpallim thirrjen për hartimin e librave dhe mjeteve didaktike për klasën përgatitore, pra për nxënësit e moshave 5-6.

Kemi mbyllur kurrikulën, programet për moshat 3-4, 4-5 dhe 5-6.

Pra, secili mësues, në kopsht apo shkollë ka orientimin e duhur për arsimimin e fëmijëve të vegjël dhe përgatitjen e nxënësve.

Por, mësuesit janë ankuar që nuk kanë një pako të mjeteve didaktike që mund ta përdorin dhe ne do u bëjmë thirrje botuesve që t’i ndërtojnë ato duke u bazuar në kurrikulat tona dhe t’i certifikojmë për përdorim.

 

Kur jemi tek parashkollori, duhet të theksoj se Shqipëria është liderë në gjithë rajonin dhe më gjerë për përfshirjen e fëmijëve në arsimin e moshës së hershme.

Mosha 5-6 është pothuajse e gjitha në shkollë, përderisa mosha 3-4 dhe 4-5 janë pjesërisht në kopshte. Në total, rreth 80% e fëmijëve të moshës 3-6 janë në kopsht apo shkollë.

Nga vendet e rajonit, Mali i zi ka një përfshirje prej 56% ndërsa Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia dhe Bosnja kanë përqindje shumë më të vogla.

Ky është një sukses i madh i cili është vlerësuar si i tillë edhe në raportet e ndryshme të Komisionit Evropian dhe UNICEF.

 

Kur jemi tek përfshirja e fëmijëve në shkolla, dua të sqaroj se shifrat që keni raportuar dje janë të pjesshme dhe të pasakta.

Ju keni raportuar se sivjet kemi rreth 380,000 nxënës në arsimin parauniversitar, por kjo shifër përfshin vetëm nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.

Pra, ju keni lënë jashtë nxënësit e parashkollorit dhe arsimit profesional.

Në total, sivjet nga regjistrimet që kemi deri tani, rreth 455,000 nxënës, pa përfshirë arsimin profesional apo 480,000 nxënës në arsimin parauniversitar, përfshirë arsimin profesional, të dhënat për të cilët mbledh MFE.

Dhe supozojmë se do ketë rreth 10,000 nxënës më pak se vitin që shkoi, e jo 100,000 më pak siç keni raportuar ju.

Dua të theksoj se numrin final të nxënësve nuk do ta kemi deri në fund të shtatorit pasi javët e para, siç do vit, ka ende lëvizje të nxënësve nga një zonë në tjetrën, nga një shkollë në tjetrën.

Gjithashtu, dua të theksoj se rënia e numrit të nxënësve në shkolla nuk është një dukuri e viteve të fundit e as një dukuri ekskluzivisht shqiptare.

Në gjithë 15-vjeçarin e fundit, nga viti në vit, në Shqipëri ka patur rreth 10,000-20,000 nxënës më pak në gjithë sistemin e arsimit parauniversitar, parashkollor, shkollë fillore, e mesme ulët dhe e mesme e lartë.

Trendi i rënies ka filluar nga viti 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së PD (2005-2013) dhe po vazhdon dhe sot.

Trendi i rënies ka të bëjë kryesisht me rënien e natalitetit që është një çështje e cila afekton gjithë Evropën Juglindore, përfshirë rajonin tonë të Ballkanit.

Sa për krahasim,

Në Kosovë, nga viti 2016 në 2018 janë mbi 25,000 nxënës me pak;

Në Serbi: 32,000;

Në Bosnje Hercegovinë: 34,000;

Trend i njëjtë vërehet edhe në Kroaci dhe Maqedoni Veriore.

Pra, dua të përsëris, trendi i rënies së numrit të nxënësve nuk është një trend unik në Shqipëri. Është në gjithë rajonin dhe ka filluar e vazhduar gjatë gjithë qeverisjes PD, si në vitet 90 ashtu edhe në vitet e mëvonshme.

Ajo çfarë duhet të nënvizohet si një sukses i madh i qeverisjes sonë është që braktisja e shkollës ka rëne në mënyrë drastike dhe tërheqja e nxënësve nga arsimi 9-vjeçar në atë të mesëm është më i larti ndonjëherë.

Sa për krahasim, në vitin 2012-2013, vitin e fundit kur partia Demokratike ka patur në menaxhim arsimin, mbi 4,000 nxënës që kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare nuk kanë vazhduar shkollën e mesme.

Kjo shifër në vitin 2018 ka rënë në 1300.

Kjo do të thotë se për shkak të politikave tona me elementë sociale, grupet vulnerabile që kanë patur tendenca të braktistin shkollën, kanë filluar të përfshihen në arsim, që është edhe kryesor për të arritur sukses në jetë.

 

Një nga këto politika është edhe ajo e mësuesve ndihmës.

Sot në sistem kemi rreth 1,000 mësues ndihmës nga zero mësues që gjetëm në vitin 2013.

Një mësues për katër nxënës me aftësi të kufizuara në shkolla.

Mësuesi ndihmës ka për detyrë të asistojë nxënësin me AK për të arritur potencialin e tij maksimal në shkollë.

Kryeministri dje raportoi se kemi rikonstruktuar 200 shkolla ndër vite. Por, ai nuk ka përfshirë shkollat që janë rikonstruktuar apo janë proces sivjet, që na e çon numrin total të shkollave të rikonstruktuara në 300.

Jam e zhgënjyer t’ju njoftoj se ndër shkollat e amortizuara që po rikonstruktojmë ka edhe shkolla të rindertuara apo të ndërtuara nga e para në vitin 2005, 2006 apo 2007. Unë nuk di se si një objekt shkollor degradon aq shumë strukturalisht për kaq pak vite. Besoj se ka të bejë me materialin e përdorur që ka qenë më i dobët se sa i parashikuari sepse udhëheqësit e asaj kohe kanë dashur të fusin dicka nga tenderat e shkollave në xhep.

 

Pashe në rrjete sociale qytetarë që kishin postuar disa foto të shkollave të amortizuara që prezantoheshin si shembuj të mungesës së investimeve.

Ato shkolla kanë sot 10 apo 15 nxënës dhe numër në rënie të nxënësve. Pra, janë objektet, por ska nxënës, rrjedhimisht do të ishte papërgjegjësi financiare të investonim në to, marrë parasysh buxhetin që kemi.

Një nga kriteret për investime në shkolla është numri i nxënësve dhe qëndrueshmëria ndër vite.

Shtatori është muaji i Arsimit Parauniversitar ndaj do vazhdoj komunikimin me ju për çeshtje të ndryshme që i përkasin temës.

Deri në fund të javës do të sistemohen mësuesit e rinj nga portali “Mësues për Shqipërinë”, do kemi të dhënat e fundit për numrin e nxënësve që janë transferuar nga klasat kolektive në shkolla më të medha ku bëhet mësim cilësor, si dhe do shpalosim politikat e reja për vleresimin e nxënësve në klasë apo në tekste kombëtare.

Kështu që do të jemi përsëri bashkë në ditët në vijim.

Faleminderit dhe ditë të mbarë.