Ministry of Education and Sports

 

I nderuar Z. Luigi Soreca,

 

Të nderuar të ftuar…

 

 

Cilësia në arsim ka fuqinë të ndryshojë njerëzit, familjet e tyre dhe jetën në komunitet.

 

Prandaj vazhdimisht bëjmë përpjekje që të kemi ndryshime dhe qasje të reja në mënyrën se si e shohin arsimin në tërësi dhe në veçanti.

 

Tashmë vlerën e edukimit dihet gjerësisht dhe në të gjithë botën po investohet më shumë se kurrë më parë në edukimin e rinisë. Janë të rinjtë ata që përgatiten që të konkurrojnë në tregun vendas dhe atë global të punës.

 

Investimi në arsim nuk mund të quhet shpenzim. Arsimi është një nga investimet më të rëndësishme që një vend mund të bëjë në njerëzit dhe të ardhmen e tij. Kur merr parasysh se sa përfitime jep në zhvillimin e ekonomisë individuale, familjare, vendase dhe botërore.

Arsimi përveçse ul varfërinë, ai rrit shanset e një student për të pasur një jetë më të mirë. Lufton çdo element që kërcënon jetën e njeriut, promovon barazinë gjinore, promovon paqen.

Më vjen mirë që programi “Erasmus+” mbështet arsimin dhe u jep mundësi të rinjve që të trajnohen in Evropë. Më vjen mirë që mbi 4 milion evropianë, në sajë të këtij programi, studiojnë dhe marrin eksperiencë jashtë.

“Erasmus+”, tashmë prej vitesh ndihmon në zhvillimin e njohurive, eksperiencës së individëve pa dallim moshe, si dhe institucioneve apo organizatave në shtete të ndryshme.

“Erasmus +” ofron mundësi për organizata të ndryshme, dukë përfshirë universitetet, ofruesit e shërbimeve në arsim dhe trajnime, “think-tank”, institucione kërkimore dhe biznese private.

Qëllimi strategjik i zgjerimit të Evropës, të cilin “Erasmus+” e ka në fokus, ndihmon të gjitha komunitetet në vendet evropiane për të pasur punë, barazi sociale, gjithëpërfshirje, zhvillim të qëndrueshëm të vendit, arsim më të mirë dhe objektiva të arritura.

 

ARSIMI I LARTË

 

BURSAT DHE PËRGJYSMIMI TARIFAVE

 

Ne i morëm shumë seriozisht këto kërkesa dhe ndamë një buxhet prej 2.2 miliardë lekësh të reja për të bërë:

 

1-        Përgjysmimin e tarifave për të gjithë studentët e “Bachelor”-it dhe programeve të integruara;

2-        Për të dhënë bursa për ata që janë ekselentë, duke e zgjeruar fashën e asaj që konsiderohet ekselencë, nga 9 deri në 10;

3-        Për të dhënë bursa edhe për studentët që u përkasin kategorive të ndryshme në nevojë;

4-        Për të dhënë bursa për ata që janë me aftësi ndryshe apo kanë prindër me aftësi ndryshe ose që vijnë nga familje me asistencë sociale etj.;

Studentët ekselentë duam t’i promovojmë, prandaj dhamë bursa dhe grupin që janë më së shumti në nevojë nga shteti.

 

KARTA E STUDENTIT

 

Një kërkesë që studentët kishin vite që e prisnin, ishte karta e studentit. Në këtë fillim-vit akademik, shpërndarja e kartave ka nisur shpërndarjen edhe për studentët e universiteteve publike jashtë Tiranës.

Në bashkëpunim me Postën Shqiptare, po prodhohen dhe shpërndahen këto karta për studentët e universiteteve publike jashtë Tiranës. Tashmë studentët e rretheve, ashtu sikurse në kryeqytet, do të përfitojnë shërbime publike e private me çmime të reduktuara.

Ky shërbim përfshin jo vetëm ata studentë që janë në Tiranë, por edhe ata që janë në qytete të tjera. Në këtë kartë do të integrohen të gjitha shërbimet që mund të merren me ulje çmimi për studentët: si shërbimet e siguruara me marrëveshje ministrore në nivel kombëtar, ashtu dhe marrëveshjet me bashkitë apo kompani të ndryshme private. Çdo shërbim apo produkt që studentët marrin me ulje çmimi i ndihmon ata në lehtësimin e barrës financiare për ata dhe familjet e tyre.

 

BIBLIOTEKAT

 

Një tjetër çështje ishte ajo e bibliotekave. Ne kemi diskutuar shumë me studentët për qasjen në bibliotekë dhe sa janë të pajisura bibliotekat me libra. Ajo që kemi bërë ne si ministri, është se kemi siguruar qasje në bibliotekën elektronike, ku ka miliona artikuj shkencorë për të gjitha fushat e studimit. Janë qindra mijëra libra akademikë, module për vetë-mësimin e gjuhës së huaj në mënyrë autodidakte, pa pasur nevojë të merrni një kurs.

Cilësia e Arsimit dhe përmirësimi i kërkimeve shkencore pritet që të avancojë shumë më shumë me bibliotekën digjitale. Kjo i bën studentët tanë të jenë në të njëjtin nivel me studentët e tjerë në vende të ndryshme të Evropës që kanë qasje në biblioteka të ngjashme.

Për të kryer si detyrat e kursit ashtu edhe temat që keni për t’i shkruar në fund të “Bachelor”-it, “Master”-it apo edhe të tjerë që duan të vazhdojnë studime doktoraturë.

Për studentët që duan një nivel shumë të mirë të gjuhës së huaj, është menduar pjesa e moduleve të gjuhës së huaj në bibliotekën digjitale, e cila ndihmon shumë në përmirësimin e gjuhës së huaj.

 

KUSHTET NËPËR KONVIKTE

Kemi vijuar me procesin e përmirësimit të kushteve të banimit për studentët në të gjithë Shqipërinë.

“Pakti për Universitetin” vuri në fokus nevojën e zbatimit të projekteve infrastrukturore për të gjitha universitetet publike në Shqipëri. Rreth 10 mijë studentë janë ata që do të akomodohen në këto kushte moderne në qytetet Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

Thirrjes së sinqertë të studentëve, edhe ne iu përgjigjëm me një sinqeritet.

 

LABORATORËT

 

Është i rëndësishëm fakti që studentët që kanë kaluar kohë mjaftueshëm në vendet e BE-së, kur kthehen në Shqipëri sjellin përvojën ndryshe në Shqipëri tek pedagogët dhe klasa e tyre. Ata sjellin ide të reja, eksperienca të reja në lidhje me procesin mësimor apo projektet e detyrat e kursit. Këta studentë sjellin kërkesa të reja, pyetje interesante dhe diskutime që vlejnë për të gjithë studentët në Shqipëri.

Prandaj jam e mendimit që kontributi i “Erasmus +” për arsimin në Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor dhe po ashtu në Evropë, është i padiskutueshëm.

Shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të bëjmë një punë sa më cilësore me ju në drejtim të rritjes së cilësisë së arsimit në Shqipëri dhe më gjerë.

###