Ministry of Education and Sports

Shahini: “Këtë iniciativë rajonale të Qarkut Korçë, do ta replikojmë në të gjithë vendin”

 

Ministrja Besa Shahini priti sot në një takim pranë ambienteve të MASR nxënësit olimpiadistë dhe mësuesit e gjimnazit “Muharrem Çollaku” Pogradec, shkollë kjo fituese e Olimpiadës “Rroke Shkencën” organizuar në Qarkun e Korçës mes datave 2-6 Dhjetor, 2019.

Të pranishëm ishin gjithashtu Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, Deputeti i Qarkut Korçë Ilirjan Pendavinji, Përgjegjësi i Departamentit të Matematikës dhe Fizikës në Universitetin “Fan Noli” Korçë, Artur Adili (nën cilësinë e organizatorit të kësaj olimpiade), si dhe mësues e drejtues të gjimnazit “Muharrem Çollaku” Pogradec.

Kjo olimpiadë është zhvilluar në pesë fazat (nën-olimpiadat) si vijon: a) Olimpiada e Shkencave Sociale “Dora D’Istria”; b) Olimpiada e Biologjisë dhe Kimisë “Alkimisti”; c) Olimpiada e Fizikës “Niko Thomo”; d) Olimpiada e Informatikës “Alan Turing”; si dhe e) Olimpiada e Matematikës “Petraq Pilika”. E veçanta e këtij organizimi është se Olimpiada “Rroke Shkencën” nuk ka qenë individuale, por në grup, dhe çdo shkollë është përfaqësuar nga 5 nxënësit më të mirë të saj.

Duke vlerësuar këtë iniciativë të ndërmarrë dhe duke uruar nxënësit fitues, Ministrja Shahini e shprehu si shumë të nevojshëm takimin me nxënësit fitues:

“Kemi nevojë të dëgjojmë nga ju se si keni arritur të dilni kaq mirë dhe si ta zgjerojmë mënyrën tuaj të studimit në mënyrë që edhe nxënësit e tjerë të kenë sukses në shkenca, matematikë, fizikë, bio-kimi dhe informatikë”, u shpreh ajo ndërsa u nënvizoi gjithashtu se “kjo arritje është jashtëzakonisht mirë për sistemin arsimor, pasi ne mësojmë nga kjo që të shohim pak se si po ecin edhe politikat tona arsimore”.

Gjatë bashkëbisedimit, Ministrja Shahini garantoi gatishmërinë e MASR dhe zyrave arsimore vendore pranë çdo bashkie, në mënyrë që kjo iniciativë dhe kjo metodë e re gare në grup e zhvilluar për rajonin e Korçës të replikohet së shpejti në të gjitha qarqet e vendit.

Në Olimpiadën “Rroke Shkëncën” u përfshinë të gjitha 24 shkollat e mesme të Qarkut të Korçës. Çdo nën-olimpiadë është zhvilluar në një ditë të caktuar, ku janë shpallur edhe fituesit e saj. Në fund, janë mbledhur pikët për secilën olimpiadë dhe rezultatet e kësaj shume kanë shpallur fitues gjimnazin “Muharrem Çollaku” Pogradec.