Ministry of Education and Sports

 

Përshëndetje edhe njëherë,

 

Ju kemi ftuar sot për të njoftuar disa vendime që kemi marrë në dhjetor të vitit të kaluar dhe tani në janar, që prekin kryesisht fushën e arsimit të lartë.

 

Është një komunikim, në fakt i planifikuar për dhjetorin e vitit të kaluar, por ngaqë u përballëm me situatën e jashtëzakonshme, vendosëm që ta shtyjmë për janar kur kemi edhe mundësinë për të bërë një diskutim edhe më të thelluar për çështje që do të prezantojmë sot.

 

Çështja e parë që dua të diskutoj sot, një pjesë e juaj besoj që edhe e dini, në maj të këtij viti skadon mandati i drejtuesve të universiteteve publike. Dhe me një urdhër që nxora sot, kemi shpallur datën e zgjedhjeve për të gjitha strukturat e reja drejtuese për universitetet publike.

Data e zgjedhjeve është 8 maj, 2020. Fushata fillon 1 muaj për parpara ose 30 ditë përpara, pra me 9 prill të këtij viti. Ndërsa universitetet janë të detyruara që të publikojnë rregulloret e zgjedhjeve 60 ditë përpara – pra me 8 apo 9 mars të këtij viti.

 

Këtë janë zgjedhjet e dyta që universitetet bëjnë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin e Lartë. Dhe është e pritshme, nga ana jonë, besoj edhe nga ana e studentëve e pedagogëve, që këto zgjedhje do të jenë të mira, të drejta, jo-diskriminuese dhe që universitetet do të tregojnë e të zbatojnë autonominë që kanë marrë me Ligjin për Arsimin e Lartë.

 

Në gjithashtu presim që rregulloret që hartojnë universitetet do të jenë mjaftueshëm të mira dhe të kopsitura që të garantojnë mbarëvajtjen e procesit.

 

Ajo çfarë është risia kësaj radhe me këto zgjedhje, kam kërkuar dhe është cituar qartë në urdhërin që nxora sot se kandidatët që kandidojnë për pozicione drejtuese duhet të jenë persona me integritet të lartë akademik. Dhe mënyra se si kjo sigurohet – kemi kemi kërkuar që Këshillat e Etikës në secilin universitet të bëjnë kontrollin e ligjshmërisë së marrjes së gradës shkencore dhe titullit akademik për të gjithë kandidatët duke përfshirë këtu edhe kontrollin anti-plagjiaturë të produkteve me të cilët kandidatët kanë fituar gradën dhe titullin akademik. Unë pres që ky element të jetë edhe në rregulloret që nxjerrin universitetet.

 

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), përmes Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), ka blerë qasje në platformën që bën kontrollin anti-plagjiaturë në gjuhën shqipe. Në nëntor, pak para tërmetit, kemi mbledhur rektorët dhe ua kemi prezantuar platformën, e cila do të zbatohet fillimisht duke zbatuar produktin akademik të kandidatëve për struktura drejtuese në përgatitje të procesit zgjedhor për IAL-të publike.

 

Në varësi të përdorimit të platformës, ne do të blejmë qasje më të gjerë në platformë që të aplikohet edhe tëk disertacionet e studentëve. Pra duam gjithsesi që praktika e kontrollit anti-plagjiaturë, pra integritetit akademik që del nga universiteti, të aplikohet edhe tek studentët e pedagogët në mënyrë që të shkruajmë të gjithë bashkërisht se si duhet të shkruhet një punim dhe si duhet të sigurohet integriteti akademik i këtyre punimeve.

 

Çështja e dytë për të cilën dua t’ju njoftoj, ka të bëjë me ciklin e tretë të studimeve, pra me studimet e doktoraturës dhe masterit ekzekutiv. Përfundisht, kemi mbyllur edhe bazën ligjore që rregullon themelimin e programeve të doktoraturës dhe mastera ekzekutivë.

 

Ligji për Arsimin e Lartë parasheh që programet e doktoraturës ndodhin pranë një projekti kërkimor shkencor. Ashtu është definuar edhe në VKM-në që nxorëm në dhjetor, ku universiteti aplikon në MASR për licencën e programit, për hapjen e një programit të doktoraturës duke dëshmuar se projektin kërkimor shkencor e ka të themeluar dhe të mirë-financuar. Në varësi të projektit dhe personelit akademik që është i përfshirë në projektin kërkimor, universiteti merr edhe kuotat për programin e caktuar të doktoraturës. Dhe mund të dijë nga kjo edhe numrin e studentëve që përfshihen në këtë program. Studenti pastaj atashohet tek ky program, ose duke përfituar nga financimi i projektit duke gjetur financim nga palët e treta apo edhe duke u vetë-financuar.

 

Qëllimi kryesor i hartuesve të ligjit të Arsimit të Lartë ka qenë që doktoranti të detyrohet të kryejë kërkim shkencor në mënyrë që t’i kontribuojë shkencës, prandaj atashohet pranë një projekti kërkimor shkencor.

 

Për fitimin e gradës shkencore “Doktor” kemi mbajtur të njëjtat kritere që kanë qenë në vendimin e këshillit të ministrave të mëparshëm. Studenti duhet të botojë 3 artikuj në revista shkencore, me ndryshimin e vetëm që një nga këta artikuj duhet të jetë e botuar në revista që kanë një peshë në botën akademike. Kandidati për doktoraturë duhet të jetë në gjendje të botojë një artikull, edhe nëse është në grup me hartues të tjerë, në një revistë më vlerë, përndryshe studimi i saj apo tij nuk është i një niveli të mirëfilltë doktoral. Ky është ndryshimi i vetëm i kritereve dhe ky është një minimum i standardeve që mund të garantojmë për studentin i cili pastaj do të bëhet doktorant.

 

Çështja e tretë që do të doja të diskutonim bashkë lidhet me të dytën: Ka të bëjë me ndryshimin e udhëzimit për hapjen e programeve. Kjo më shumë i përket universiteteve, por ndoshta vetëm ta përmendim shkurt.

 

Për një program studimi tani kemi lehtësuar procedurat. Aplikimi i fazës së parë do të bëhet vetëm elektronikisht. Fillimisht përmes një adrese e-Mail unike e cila është shkruar qartë në udhëzim dhe do të jetë e botuar në faqen tonë web.

 

Pas një marrje të një aprovimi fillestar nëse me projekt- propozimin që aplikohet në fazën e parë, programi është i shtjelluar mirë dhe shpjeguar mirë, nuk ka gabime gjuhësore, ka një qëndrueshmëri apo arsyeshmëri ekonomike dhe sociale për ekzistencën e programit, pas një aprovimi fillestar universiteti bën aplikimin e fazës së dytë ku kërkohet i gjithë dokumentacioni që provon se programi ka një qëndrueshmëri, ka profesorë të mjaftueshëm, ka hapësirën e mjaftueshme infrastrukturore universiteti që do ta ofrojë këtë program.

 

Edhe aplikimi i fazës së dytë bëhet elektronikisht, që besoj kursen shumë kohë dhe mjete financiare universitetit. Fillimisht do të bëhet përmes adresës elektronike, ndërsa tani që flasim jemi duke përfunduar ndërtimin e platformës ku ngarkohen të gjitha dokumentet, në mënyrë që gjithë aplikimi nga universitetet të bëhet në një moment online.

 

Dua të nënvizoj se do të jemi shumë rigoroz në vlerësimin e projekt-propozimeve që sjellin universitetet për hapjen e programeve të reja të studimit.

 

Kjo doli si një mangësi që vërejtëm gjatë vitit 2019, duke analizuar programet për të cilat kanë aplikuar universitetet për hapjen e tyre në ministri. Jo të gjitha ishin të një niveli dhe cilësie të duhur. Të njëjtin rigorozitet do ta aplikojmë edhe sivjet, por duke e ndarë në dy faza të aplikimit.

 

Ky udhëzim u është dërguar universiteteve, por do të jetë i publikuar edhe në faqen tonë, nëse keni interes të mësoni më shumë për këtë proces.

 

E katërta, dhe e fundit, pastaj do të hapim diskutimin: gjatë vitit 2019 kemi marrë shumë ankesa në lidhje me Universitetin e Tiranës.

 

Ajo që është e çuditshme në lidhje me këtë universitet është se ankesat na vijnë edhe nga strukturat drejtuese, pra nga rektori, dekanët, bordi i administrimit, nga administratori, që do të thotë se situata me drejtimin e këtij universiteti nuk është përmirësuar.

 

Në nëntor ngrita një grup inspektimi që të vlerësojë ankesat, dhe ata këtë punën e vlerësimit e bënë në dhjetor, dhe dolën në përfundimin se ankesat që sjell universiteti i Tiranës, sidomos struktura drejtuese të universitetit, nuk vijnë ngaqë ka paqartësi  në ligjet apo vendimet e këshillit të ministrave, apo në urdhrat që nxjerrim ne, por vijnë kryekëput nga refuzimi i zbatimit të kësaj baze ligjore nga rektori, nga disa prej strukturave të tjera drejtuese, dhe sidomos vijnë nga një refuzim i pashpjegueshëm për bashkëpunim që kanë strukturat drejtuese në universitet.

 

Besoj se ju kujtohet, vitin e kaluar unë propozova shkarkimin e rektorit, bazuar mbi një sërë shkeljesh ligjore të kryera nga ana e tij, si një zgjidhje e mundshme e situatës së paligjshmërisë dhe një hapje rruge për reformë në universitet.

 

Por Presidenti i Republikës së Shqipërisë vendosi të mos miratojë propozimin tim. La në detyrë një rektor i cili vazhdon të shkaktojë probleme serioze në menaxhimin e universitetit. Për mua ishte dhe mbetet zhgënjyese që presidenti në vend që të kontribuojë në përmirësimin e situatës në universitet, ai vendosi të bëjë të bëjë politikën e tij të zakonshme të refuzimit të çfarëdo propozimi që i vjen nga qeveria jonë.

 

Por unë kam ende shpresë, sepse besoj se zgjedhjet 2020 do të prodhojnë udhëheqës që punojnë për të mirën Universitetit të Tiranës, dhe kjo është tani në duar të pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës.

 

Ajo që na mësoi protesta e studentëve të dhjetorit 2018, është se kur ka vullnet të fortë dhe organizim të mirë politikat edhe ndryshojnë.

 

Ne si qeveri, për shkak të energjisë që morëm nga kjo protestë, arritëm të zbatojmë pak a shumë të gjitha pikat e “Paktit të Universitetit”.

 

Ne subvencionuam deri në përgjysmim tarifat e shumicës dërrmuese të studentëve. Mbi 90 mijë studentë kanë përfituar nga pakoja jonë financiare.

 

Kemi rritur numrin e bursave dhe shumën që marrin studentët, si ata ekselentë, ashtu edhe ata që kanë nevojë për ndihmë nga shteti, studentët me aftësi të kufizuara, apo ata që vijnë nga familje me situatë më të vështirë socio-ekonomike.

 

Krijuam dhe shpërndamë kartën e studentit. Në Tiranë bashkë me Bashkinë e Tiranës, ndërsa në qytetet e tjera bashkë me Postën Shqiptare.

 

Blemë Software-in që bën kontrollin Antiplagjiaturë, që ishte një premtim i dhënë dhe i mbajtur.

 

Investuam në konvikte me Bashkinë e Tiranës përmes buxhetit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe me partnerët tanë zhvillimorë.

 

Dhe sivjet, bashkë me Bashkinë e Tiranës fillojmë zbatimin e projektit të një kampusi super-modern të Universitetit të Tiranës.

 

Tani për çështje të mirë-administrimit te universitetit të Tiranës dhe përmirësimit të cilësisë që prodhon universiteti, duhet të angazhohen ata që japin shërbimin arsimor në këtë universitet dhe ata që marrin shërbimin arsimor, pra pedagogët dhe studentët.

 

Unë pres që ata që shndërrohen në qytetarë aktivë dhe të zgjedhin udhëheqës më të mirë të universitetit, të kërkojnë cilësi më të lartë nga Universiteti i Tiranës dhe t’ia kthejnë dinjitetin këtij institucioni.

###