Ministry of Education and Sports

Konstatimi i dëmevë nëpër shkolla e banesa / certifikata mirënjohjeje për inxhinierët vullnetarë të Kosovës

 

Në një event simbolik të zhvilluar pranë ambienteve të MASR, Ministrja Shahini ka shpërndarë certifikata mirënjohjeje për inxhinierët vullnetarë të Kosovës, të cilët kanë dhënë një kontribut të pakursyer në konstatimin në kohë rekord të dëmeve nëpër shkolla e banesa të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Ministrja Shahini kujton edhe momentet e para kur është lajmëruar për grupin e parë të inxhinierëve që do të vinin në Tiranë:

“Vendosëm të mbyllim shkollat me datë 27 Nëntor dhe të fitonim pak kohë për të parë se kur realisht mund të fillonim mësimin. Kontaktova me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, me Drilonin e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe disa arkitektë që njihja në Prishtinë, të cilët i pyeta nëse e kishin të mundur të na dërgonin 4-5 inxhinierë për të parë shkollat më problematike. Kështu, do të mund të merrnim një vendim paralelisht me inxhinierët e bashkive që shkonin për t’i parë. Më merr Driloni në telefon dhe më thotë: “Jo katër, por dyzetë!”.

Ndër të tjera, ajo shprehet:

“Nga vizita juaj e parë, ne arritëm të marrim informacion mjaftueshëm që të merrnim vendimin që me 2 dhjetor t’i hapnim shkollat në të gjitha zonat që nuk ishin të prekura direkt. Më pas të fillonim gradualisht me hapjen e shkollave në qarkun Lezhë, pastaj në qarkun Tiranë e Durrës me datë 9 dhjetor”.

Ministrja Shahini u ndal edhe tek puna e grupit të dytë të inxhinierëve prej 30 vetësh, i cili sipas saj ka bërë një punë edhe më të thelluar:

“Disa shkolla që i kishte parë grupi i parë u vizituan edhe një herë më me kujdes, përfshirë edhe shkollat private, të cilat zakonisht si ministri nuk ishim marrë me këtë pjesë, pasi mund t’u kërkonim që t’i bënin me ekspertë privatisht para se t’u jepnim leje për hapjen, por ne nuk donim të rrezikonim fare. Kjo na dha një siguri që shkollat që kanë marrë konfirmimin për t’u hapur janë të përshtatshme për mësim”.

Në fund të fjalë së saj, Znj. Shahini përcjell edhe një falënderim të sinqertë për të gjithë vullnetarët:

“Do të doja t’ju falënderoj sinqerisht. Keni treguar jo vetëm një profesionalizëm të madh, por edhe shpejtësinë me të cilët jeni organizuar, dhe kohën që keni ndarë për ne, modestinë me të cilën na jeni afruar ku jeni përshtatur me kushtet në të cilat ishim ne. Nuk keni patur kërkesa, përkundrazi jeni afruar edhe me gjëra që nuk i keni detyrim t’i bëni siç ishin mbulimi i shpenzimeve tuaja të akomodimit dhe përdorimi i automjeteve”.

Kujtojmë se janë mbi 70 inxhinierë vullnetarë kosovarë, të cilët menjëherë pas tërmetit kanë shprehur vullnetin e tyre për të inspektuar në terren qëndrueshmërinë e godinave të universiteteve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve (publike dhe jo-publike), si dhe banesave në Qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës.