Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla takim me Ministrin e Edukimit dhe Çështjeve Sociale të Greqisë Loverdos

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka pritur sot në një takim zyrtar Ministrin e Edukimit dhe Çështjeve Sociale të Greqisë, Andreas Loverdos.

Gjatë takimit, ndër të tjera, u diskutua edhe për riaktivizimin e Komisionit të Përbashkët për Studimin e Paraqitjes së Teksteve Shkollore, në fushën e historisë, gjeografisë, kulturës dhe ekonomisë bazuar në frymën dhe parimet e UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës.

Pas takimit, Ministja Nikolla dhe Ministri grek Loverdos zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla tha se riaktivizimi i Komisionit të Përbashkët është një shenjë e qartë se marrëdhëniet mes dy vendeve përcaktohen nga vullneti ynë për t’i kontribuar forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm, paqes, stabilitetit dhe integrimeve evropiane, në frymën e së drejtës ndërkombëtare dhe në respekt të kuadrit ligjor të brendshëm të secilit vend.

“Dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë dhe vullnetin tim të palëkundur për të garantuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, ata të komunitetit tonë në Greqi dhe të minoritetit Grek në Shqipëri, kundrejt detyrimit për një arsim e edukim cilësor”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se për herë të parë, pas më shumë se një dekadë, shkollat e minoritetit janë pajisur me tekstet shkollore në gjuhën greke përpara fillimit të shkollës dhe se qeveria shqiptare përmbushi angazhimin edhe për përmirësimin e cilësisë së tyre duke konsultuar mësuesit në këto shkolla dhe vendosur për botim tekstet që mësuesit i vlerësonin si më cilësorë. 

“Në respekt të të drejtave të minoritetit, në shkollat e minoritetit është garantuar që asnjë fëmijë të mos privohet nga e drejta për  t’u arsimuar në gjuhën amtare.  Dhe këtë vit me kërkesë të banorëve të fshatrave Derviçan dhe Frashtan, me mbështetje të pushtetit vendor, u bë e mundur rihapja e dy klasave parashkollore me fëmijë të riatdhesuar dhe jo vetëm”, tha Lindita Nikolla.

Nga ana e tij, Ministri grek Loverdos, ritheksoi marrëdhëniet e mirë mes dy vendeve duke thënë se treguesi i fundit ishte mbështetja që Greqia i  dha Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

“Universitet tona, shkollat e sistemit parauniversitar, qendrat tona kërkimore, arkivat dhe bibliotekat tona si dhe sektorë të tjerë të arsimit në të dy vendet duhet të vijnë më afër njëra-tjetrës dhe të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre,” tha Ministri Loverdos. 

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Konferencën e përbashkët për mediat me Ministrin e Edukimit dhe Çështjeve Fetare të Greqisë, Andreas Loverdos.