Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla takim me Ministrin e Arsimit, të Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë, Srdan Verbic

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, zhvilloi sot, një takim me Ministrin e Arsimit, të Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë, Srdan Verbic. Qëllimi i këtij takimi ishte nxitja e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. 

Gjatë takimit, Ministrja Nikolla shprehu vullnetin e institucionit që ajo drejton dhe të Qeverisë shqiptare për bashkëpunim rajonal në rrugën e integrimit evropian duke theksuar rolin që ka arsimi në edukimin e vlerave dhe parimeve demokratike evropiane.

Ministrja Nikolla, bëri gjithashtu një ekspoze të shkurtër mbi reformat aktuale që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit dhe Sportit në fushën e arsimit parauniversitar, reformën kurrikulare me bazë kompetencat si dhe reformën në arsimin e lartë.

Nga ana e tij, Ministri serb Srdan Verbic, u shpreh i lumtur për këtë takim të parë ndërmjet dy titullarëve të arsimit. Ai fillimisht përgëzoi Ministren Nikolla për punën e kryer në kuadër të reformës në arsimin e lartë, veçanërisht në mbylljen e 18 institucioneve private të arsimit të lartë që nuk përmbushnin kriteret e ligjshmërisë. Ministri Verbic,  përmendi ndër të tjera edhe jehonën pozitive që pati ky veprim ligjor në mediat serbe. 

Gjithashtu, ministri Verbic shprehu gatishmërinë e palës serbe për të nxitur bashkëpunimin konkret ndërmjet universiteteve tona në projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore edhe në kuadër të programit të BE-së Horizon 2020 si dhe ngritjen e grupeve për hartimin e standardeve  të përbashkëta për  trajnimit të mësuesve.