Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla takim me delegacionin kinez nga Universiteti i Tianjin-it (TUFE)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla priti sot në takim delegacionin kinez nga Universiteti i Financës dhe Ekonomisë së Tianjin-it (TUFE), me synim vendosjen e bashkëpunimit dhe lidhjen e marrëveshjeve me universitetet tona.

Gjatë takimit Ministrja Nikolla i shprehu delegacionit kinez mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për hedhjen e bazave të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqiptare dhe TUFE, në fusha me interes reciprok, si shkëmbim studentësh & stafi akademik, ofrim bursash, projekte të përbashkëta, etj.

Delegacioni kinez falenderoi përzemërsisht Ministren Lindita Nikolla për mikpritjen dhe organizimin e kësaj vizite. Kryetarja e delegacionit kinez, Wang Yuying vlerësoi mjaft ndërthurjen e procesit arsimor me aktivitetet sportive, si një mundësi shumë e mirë për të edukuar të rinjtë me vlera pozitive. “Në këtë drejtim, kemi shumë ç’të mësojmë nga ju” u shpreh Yuying.

Gjatë vizitës në Shqipëri,  delegacioni kinez do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të Universitetit të Tiranës, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit të Sporteve të Tiranës. UBT dhe UT kanë rënë dakord në parim për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me TUFE.

Delegacioni kryesohet nga Prof. Wang Yuying, Kryetare e Këshillit të Universitetit, dhe në përbërje të tij janë edhe skuadra e basketbollit e vajzave të TUFE-s, e cila është shpallur disa herë kampion në rang vendi.

Gjatë kësaj vizite, përveç takimeve në universitete do të organizohen edhe dy ndeshje basketbolli ndërmjet skuadrës së basketbollit nga TUFE dhe Klubit Sportiv Studenti dhe ekipit të basketbollit të Universitetit të Sporteve.

TUFE është themeluar në vitin 1958 dhe është një nga universitetet e para në Kinë që ofron studime në ekonomi-financë dhe administrim biznesi.