Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në Konferencën Rajonale të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla është e pranishme në Konferencën Rajonale për Arsimin e Larte dhe Kërkimin Shkencor, që po zhvillohet sot, në Kosovë, me prezencën e tre Ministrave të Arsimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla bërë një prezantim të reformave të ndërmarra nga Qeveria në sistemin e arsimit të lartë, duke theksuar se qëllimi kryesorë është shënjimi i një standardi të ri cilësie për arsimin e lartë në vendin tonë.

Ministrja vlerësoi si shumë të rëndësishëm procesin e shkëmbimit të eksperiencave mes vendeve të rajonit, duke bërë të mundur që bashkërendimi i politikave të jetë një proces që të shoqërojë hap pas hapi reformat e ndërmarra në arsimin e lartë.

“Lejomëni, të dashur pjesëmarrës, të vendos theksin mbi rëndësinë historike të kësaj Konference dhe në kuadrin e integrimit rajonal të faktorit shqiptar brenda integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Arsimi në përgjithësi dhe arsimi i lartë në veçanti, është një dritare mbi të ardhmen tonë. Dhe linjat që ne heqim sot, do të jenë nesër kolonat e të ardhmes tonë të përbashkët. Ne nuk mund të reformojmë sistemin e arsimit të lartë pa pasur parasysh integrimin e plotë të sistemit tonë arsimor për shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, si baza e rritjes dhe edukimit të gjeneratës tjetër të shqiptarëve në BE, për gjithë rajonin”, tha Nikolla.

Ndër reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, Nikolla përmendi inspektimin e munguar prej 20 vitesh në Institucionet e Arsimit të Lartë, i cili verifikoi kriteret e ligjshmërisë së IAL-ve dhe si pasojë mbylli 18-të IAL private dhe pezulloi 13 të tjerë.

Gjithashtu, Ministrja Nikolla tha se paralelisht me këtë proces u punua për reformën ne arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor dhe për këtë u zgjodh jo rruga e vendimmarrjes politike nga Ministria e Arsimit apo Qeveria Shqiptare, por u ndërtua një proces i ri politikbërje nga një Komision profesionistësh, drejtuar nga Prof. Arjan Gjonca

“Tashmë, në Shqipëri, ne kemi hyrë në një fazë vendimtare të këtij procesi pasi një viti të tërë debati publik dhe dëgjesave publike me Institucionet e Arsimit të Lartë. Një draft-ligj është miratuar dhe dërguar tashmë për diskutim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga ana e Qeverisë që unë përfaqësoj. Ky draft është produkt i një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe unik”, u shpreh Ministrja, Lindita Nikolla.

Më pas, Ministrja u shpreh se agjencia angleze anëtare e ENQA-s, (Organizata Evropiane e Sigurimit të Cilësi në Arsimit e Lartë) do të mundësojë procesin e akreditimit, pra vlerësimin e cilësisë për të gjitha IAL-të, publike dhe private, për të mundësuar një raportim transparent publik brenda muajit dhjetor.

Në lidhje me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor Nikolla përmendi katër shtyllat dhe ndryshimet kryesore që kjo reformë mëton të sjellë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri: skemë e re financimi, financim publik më të drejtë për studentin, autonomi për universitetet, modernizim i qeverisjes së brendshme.

“Konferenca Rajonale për Arsimit e Lartë dhe Kërkimin Shkencor” ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të vendeve të rajonit.

Në këtë konferencë marrin pjesë, rektorë, pedagogë, dhe aktorë të tjerë të arsimit të lartë të tre vendeve.

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Konferencën Rajonale për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.