Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në festimet e 100-vjetorit të shkollës "Veles Tila", Shën Mëri

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë në festimet e shkollës “Vesel Tila” në Shën Mëri, komuna Shën Gjergj, në kuadër të 100-vjetori të kësaj shkolle.

Ministrja Nikolla shprehu mirënjohjen për mësuesit e kësaj shkolle, që kontribuojnë për arsimimin e fëmijëve të kësaj zone si dhe ata mësues që ndër vite që i kanë shërbyer këtij komuniteti.

Gjithashtu Ministrja Nikolla vlerësoi dy mësuesit e përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë”, të cilët pranuan që nga Tirana të shkojnë e japin mësim në shkollën e Shën Mërisë.

“Ky komunitete meriton shumë më shumë investime për të mundësuar jo vetëm një arsim cilësor për nxënësit e kësaj zone, por për të adresuar më shumë pjesëmarrje të tyre në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Jemi të angazhuar për të ndryshuar në mënyrë cilësore sistemin tonë arsimor, për t’i bërë nxënësit e këtyre shkollave konkurrues në tregun e punës, jo vetëm në Shqipëri por kudo”, tha Nikolla.

Shkolla e Shën Mërisë aktualisht ka 68 nxënës dhe është shkollë vartëse e Komunës së Shën Gjergjit.  Sipas dëshmime të ndryshme, kjo shkollë është hapur në pranverën e vitit 1915 me mësues Xhemal Karapicin.

I vetmi dokument autentik që vërteton hapjen e shkollave shqip në këto vite, ishte fletorja e hartimit e Isuf Llanit, një nga nxënësit e parë të kësaj shkolle. Njërin nga hartimet e tij, me temë: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu heroi i jonë kombëtar” mban datën 17 janar 1915.