Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të universitetit “Aleksander Xhuvani”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në ceremoninë e diplomimit të studentëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi rëndësinë që ka për studentët e diplomuar përshtatja e dijeve dhe arritjeve me kërkesat e tregun e punës, çka është dhe një nga pikat e forta të ligjit të ri për arsimin e lartë.

“Reformuam sistemin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në vend, që shkollimi juaj të jetë më cilësor, më dinjitoz në raport me epokën ku jetojmë, një shkollim sipas dëshirës, por i kombinuar me përgjegjësinë dhe me interesin publik, me domosdoshmërinë që të ndërtonim një ligj që i afrohet më së shumti kërkesave të tregut, jo vetëm kombëtar, por edhe atij rajonal e global”, tha Ministrja.

Ministrja e Arsimit uroi 1028 të diplomuar në Bachelor dhe Master, mes të cilëve spikasin dhe shumë studentë të ekselencës.

Sipas Ministres Nikolla, përtej çdo polemike, universiteti që të gjithë duan është një universitet me pavarësi reale, që ndërvepron me biznesin, me sipërmarrjen, me komunitetin, që e vë dijen dhe shkencën në shërbim të tij dhe ky është universiteti që qëndron në thelb të reformës së arsimit të lartë.

Ministrja i cilësoi pedagogët dhe studentët garantues të zbatimit të ligjit, në mënyrë që ai të mos jetë thjesht një ligj i mirë i shkruar në letër, por një ligj që do të jap rezultatet e tij që prej vitit të ardhshëm akademik.

“Universiteti është vendi ku ndërtojmë të nesërmen, ndaj institucionet e arsimit të lartë duhet të angazhohen në vijë të parë në ndërtimin e rrugëve të integrimit dhe zhvillimit të vendit. Si Ministre e Arsimit dhe Sportit, shpreh angazhimin e institucionit që unë drejtoj për t’ju mbështetur pa asnjë kusht tjetër përveçse kërkesës për cilësi në këtë sfidë të madhe për ju e për shoqërinë tonë”, tha Ministrja Lindita Nikolla.