Ministry of Education and Sports

MINISTRJA NIKOLLA MERR PJESË NË FORUMIN BOTËROR TË ARSIMIT NË LONDËR

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, së bashku me zëvendësministrin Arbjan Mazniku ishin të ftuar në Forumin Botëror të Arsimit në Londër, i njohur ndërkombëtarisht për diskutimin e politikave arsimore.

Forumi i zhvilluar në datat 18-21 janar mblodhi më shumë se 80 ministra arsimi nga e gjithë bota, për të ndarë zhvillimet e fundit të sistemeve arsimore dhe sfidat me të cilat përballet arsimi në përgjithësi.

Në fjalën e saj, në këtë Forum, Ministrja Nikolla iu referua sfidave dhe politikave arsimore që Ministria e Arsimit ka ndërmarr në vend. Në fokus të këtij diskutimi, ministrja e Arsimit dhe Sportit e vuri theksin tek rëndësia që ka trajtimi i reformës arsimore si një e tërë, duke filluar nga arsimi parauniversitar deri në arsimin e lartë. Ministrja Nikolla u shpreh se Qeveria Shqiptare e konsideron arsimin si politikën më të mirë ekonomike për vendin, ndaj dhe ky sektor trajtohet si një ndër prioritetet kryesore të saj.

Gjatë vizitë së saj në Londër, znj. Nikolla, zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me Këshillin Britanik dhe me Agjencinë Britanike të Akreditimit “Quality Assurance Agency”. Fokusi i diskutimeve ishin masat e marra dhe reformat në arsimin e lartë, me kryefjalë cilësinë. Duke bërë një përshkrim të situatës, Ministrja foli rreth procesit të verifikimit të kritereve ligjore që kulmuan me mbylljen e 18-të IAL-ve që nuk plotësonin kriteret e ligjshmërisë, si edhe për rëndësinë e ligjit të ri për arsimin e lartë që pritet të miratohet në muajt në vijim, në Parlamentin shqiptar.

Bashkëpunimin me Agjencinë Britanike të Akreditimit, Quality Assurance Agency (QAA), Ministrja Nikolla e cilësoi, si një pikë kulmore në arsimin e lartë, pasi për herë të parë po realizohet një proces i tillë, i cili do të bëjë verifikimin e kritereve të cilësisë, sipas standardeve evropiane dhe që pritet të ngrejë standardin e arsimit të lartë në vend.

Në agjendën e qëndrimit të znj. Nikolla në Londër, një vend të rëndësishëm zunë dhe takimet e posaçme me disa prej ekspertëve dhe Shtëpive Botuese më të mëdha dhe njohura ndërkombëtarisht në fushën e kurrikulave dhe teksteve. Duke i njohur me reformën kurrikulare në vend, me orientim kompetencat dhe jo më objektivat, ministrja Nikolla përmendi gjithashtu rëndësinë që ka ndërmarrja e një reforme të thellë në fushën e Alterteksit. Nga ana e tyre, ekspertët dhe përfaqësuesit e Shtëpive Botuese, duke vlerësuar punën dhe reformat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në këtë drejtim, shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuar dhe bashkëpunuar në nivel profesional dhe akademik, duke ofruar gjithë ekspertizën dhe mbështetjen e tyre në drejtim të përmirësimit të kurrikulës dhe jetësimit të reformës së teksteve në sistemin arsimor shqiptar.