Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla inspekton shkollat e Librazhdit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla së bashku me deputetin Taulant Balla zhvilluan një vizitë në disa shkolla në rrethin e Librazhdit për të parë nga afër investimet në infrastrukturën e tyre, si edhe për të komunikuar me stafet pedagogjike dhe nxënësit rreth reformave të ndërmarra së fundi në arsim. Gjatë këtyre takimeve ministrja Nikolla u ndal gjithashtu tek procesi i testimit për mësuesit, projekti “Shkolla si Qendër Komunitare”, Matura Shtetërorë 2015 dhe nevoja për investime në infrastrukturën shkollore.

Në shkollën e mesme të përgjithshme “Ibrahim Muça”, ministrja Nikolla theksoi domosdoshmërinë për zhvillimin e testimit kombëtar për mësuesit si një nevojë për të identifikuar nivelin e cilësisë dhe përcaktimin e nivelit të kualifikimit për mësuesit në vend.

“Ajo që ne do të bëjmë me testimin, ju vetë do ta shikoni, do të jetë një instrument shumë i rëndësishëm që e drejton gishtin së pari nga Ministria e Arsimit, nga Qeveria për të bërë gjithçka është e mundur për të qenë pranë jush dhe nevojave tuaja. Është quajtur testim në kuptimin e marrjes së informacionit është për të ndryshuar të gjithë skemën e kualifikimit në Shqipëri. Nuk do të ketë më pyetje shkencore, ligje por do të jenë çështje, problematika për të përcaktuar realisht nevojat që ne kemi për të ndërhyrë. Ne nuk duam një përcaktim të përciptë për të gjithë Shqipërinë, por duam ta kemi specifikisht për çdo shkollë të vendit. Shoku nuk do të dijë rezultatin e shokut tjetër, çdo gjë do të jetë e sekretuar. Ne na duhet të dimë në shkollën tuaj apo në çdo shkollë tjetër në Shqipëri, se si është niveli i kualifikimit. Pastaj këta mund të shërbejnë edhe si trajnerë për shkolla të tjera si për shembull në shkollat e fshatit.’’– u shpreh ministrja Nikolla

Teksa përuroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Pishkash të Komunës Qukës, ministrja Nikolla u shpreh se: “Është një investim i parë, të tjera do të vijojnë për të mundësuar cilësinë më të mirë të arsimit që ju e meritoni.”

Ndërsa nga ana e tij deputeti, Taulant Balla, theksoi se vetëm në 2 vite është investuar në 18 shkolla të rrethit të Librazhdit. “I prekshëm për ne është investimi, jo vetëm në këtë shkollë, por vitin e kaluar edhe në 8 shkolla të tjera të Rrethit të Librazhdit. Ndërsa sivjet edhe në 10 shkolla të tjera. Është një ndërhyrje ndër më të mëdhatë që është kryer në gjithë këto vite në Rrethin e Librazhdit po të kemi parasysh që janë 18 shkolla në vetëm 2 vit.”– u shpreh deputeti Balla.

Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes një investimi me vlerë 9.703.918 lekësh mundësoi rikonstruksionin e kësaj shkolle me qëllim përmirësimin e kushteve në këtë institucion arsimor. Tashmë punimet kanë përfunduar dhe mësimi po zhvillohet në këtë shkollë.  Nga ky rikonstruksion përfitojnë 117 nxënës të komunitetit.

Më pas ministrja e Arsimit dhe Sportit, vizitoi shkollën e mesme “Halit Bërzheshta”, nga ku garantoi gjimnazistët dhe mësuesit e kësaj shkolle për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe për një proces korrekt të Maturës Shtetërore 2015.

“Ne do të vijojmë me mbështetjen për infrastrukturën sportive që lidhet me terrenet sportive. Do të vijojmë edhe me laboratorët dhe me projektin që kemi në kuadër të digjitalizimit të sistemit parauniversitar. Të gjitha këto janë mjete në funksion të një qëllimi të cilin e realizoni vetëm ju falë pasionit që shkollat jo vetëm të ofrojnë një cilësi më të mirë por të jenë një pikë rëndese edhe për komunitetin dhe unë shohë që qoftë si vendndodhje e kësaj shkolle është pozicion shumë i mirë që drejt komunitetit shkolla të ofrojë edhe projekte ndihme, aktivitete ndihme, aktivitete të përbashkëta. Sa më shumë t’i përfshijmë nxënësit dhe prindërit në këtë proces aq më të fituar jemi në atë që ne duam të realizojmë. Do bëjmë gjithçka që të keni nevojshëm dhe mjaftueshëm të gjithë ndihmën për të bërë sukses në provimet e Maturës Shtetërore.”

Në fund të vizitës së saj në rrethin e Librazhdit, znj. Nikolla u ndal  në fshatin Zdrajsh Veri, Komuna Orenjë, ku inspektoi nga afër kushtet e mësimdhënies në këtë fshat të cilat si pasojë e mungesës së investimeve ndër vite ishin në gjendje të mjerueshme. Ministrja Nikolla siguroi fëmijët dhe prindërit e tyre se kjo situatë nuk mund të vazhdoj më dhe se Ministria e Arsimit ka mundësuar ndërtimin e shkollës së re me një investim prej 4.164.354 lekësh, i cili ka ofruar një godinë të re për këta nxënës që në ditët në vijim pritet të fillojnë mësimin në kushte normale me standarde bashkëkohore.

Në këtë kuadër, ministrja u shpreh se, ka ardhur koha për një realitet të ri dhe për një angazhim bashkëkohor për ta kthyer në një standard të ri shkollën ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve.

“Besoj që ndryshimi mes dy realiteteve flet vet. Ajo që këlthet është fakti që është e papranueshme që në Shqipërinë e vitit 2015, kandidate për integrimin Evropian të ketë ende fëmijë që studiojnë në ato shkolla siç pamë. Por tani është një realitet i ri dhe përtej realitetit të ri është edhe një angazhim i përbashkët i yni, i të gjithëve për ta kthyer në një standard të ri ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve. Vijuam me disa shkolla në Librazhd, do të vijojmë edhe me disa shkolla të tjera për të zhbërë këto realitete të frikshme dhe për t’i kthyer në një histori të re, histori suksesi të të gjithë fëmijëve.”