Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla asiston në inspektimet e energjisë elektrike

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka qenë e pranishme në inspektimet e OSHEE dhe Policisë së Shtetit, për ndaljen e abuzimeve me energjisë elektrike.

E shoqëruar nga  Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, Ministrja Nikolla ka përcjellë edhe një herë thirrjen për gjithë konsumatorët që të paguajnë energjinë elektrike.

“Ky është një proces i rëndësishëm ku ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, studentët, pedagogët, prindërit, komunitetin. Kjo është një çështje edukimi mbi zbatimin e ligjit që duhet të fillojë që në bankat e shkollës, ku të gjithë së bashku të edukojmë evropianët e Shqipërisë së nesërme. Qytetarët e përgjegjshëm i janë kthyer arkëtimeve të faturave të energjisë elektrike. Pensionistët janë ata që paguajnë në mënyrë të rregullt energjinë elektrike, 98 % e tyre, po ashtu edhe personat me aftësi të kufizuara. Ndërkohë që Qeveria shqiptare po punon për të kthyer kulturën e ndëshkimit përpara ligjit dhe po ashtu të barazisë përpara ligjit, opozita vazhdon në rrugën e anarshisë dhe antiligjit. Ky është një aksion në emër të atyre që paguajnë energjinë elektrike duke krijuar edhe mbështetjen e faljes në masën 80%  të kamatëvonesave, për të gjithë ata që do të mundësojnë brenda datës 28 shkurt pagesën e energjisë elektrike”, tha Lindita Nikolla.

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela u shpreh se vendimi i fundit i Bordit Drejtues të OSHEE-së, për amnistinë e kamatvonesave, ka filluar të aplikohet që ditën e sotme, ku pranë sporteleve janë bërë akt-marrëveshjet e para.