Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë me përfituesit e vitit të kaluar dhe të sivjetëm të programit të shkëmbimit akademik “Fulbright”.

Gjatë aktivitetit janë shpërndarë certifikata të përfundimit të studimeve dhe i janë uruar suksese pjesëmarrësve përfitues në vijim.

Në publikimin e saj në rrjete sociale, Ministrja Kushi vlerëson se:

“Programi i Shkëmbimit “Fulbright” është një vlerë e shtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me partnerin tonë strategjik SHBA në fushën e arsimit, shkencës dhe kërkimit. Ai gjithashtu inkurajon përmirësimin e kualifikimit të studentëve dhe akademikëve tanë, si dhe stimulon projektet e përbashkëta shkencore mes dy vendeve tona”.

Ndër të tjera, Znj. Kushi shprehet se nëpërmjet këtij programi prestigjioz, pjesëmarrësit profesionistë shqiptarë mund të përqafojnë vlerat më të mira amerikane në SHBA dhe pas rikthimit në Shqipëri, ata kanë mundësinë për të kontribuar me përvojën dhe njohuritë e fituara në universitete, administratë publike dhe kompani private në vendin tonë.

Programi “Fulbright” për studentë të huaj është një program një ose dy vjeçar për profesionistë të rinj dhe ata që kanë përfunduar studimet, të interesuar të ndjekin studime në nivelin Master në SHBA. Njëkohësisht, u jep mundësi studiuesve të rinj apo me më shumë përvojë, lektorëve të universitetit dhe ekspertëve nga institucione akademike dhe kërkimi, të bëjnë kërkime dhe/ose të japin mësim në një universitet në SHBA.

Pala shqiptare ofron mbështetje financiare në shumën prej 150 mijë Euro në vit për të mbështetur kostot e programit “Fulbright Student” me qëllim krijimin e më shumë mundësive për studentët, personelin akademik dhe profesionistët që marrin pjesë në këtë program.

 

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/310789267403181/