Ministry of Education and Sports

Gjatë takimit në Komisionin për Edukimin Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi është ndalur edhe tek mbështetja për studentët.
Znj. Kushi u shpreh se forcimi i këtij dimensioni social të arsimit të lartë është një nga prioritetet tona kryesore. Këtë vit, një risi në politikat arsimore lidhet me vendimin për shpalljen e programeve prioritare dhe mbështetjen studentore me bursa sa paga minimale.
Ministrja theksoi se kjo politikë u përgatit në bashkëpunim me universitetet, duke u konsultuar gjatë, si një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të përcaktuar fushat kryesore për të cilat ka nevojë zhvillimi i vendit, por edhe fushat ku universitetet kanë nevojë për mbështetje, si shkencat humane, shkencat natyrore, matematika, statistika, mësuesia, Inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi, pyjet, peshkimi, veterinaria, shërbimet.
Znj. Kushi tha se me Vendim të Këshillit të Ministrave u përcaktuan kategoritë që përjashtohen nga tarifat dhe u ofrohet bursë sa paga minimale. Këto kategori janë studentët ekselentë, fituesit e olimpiadave ndërkombëtare dhe studentët që zgjedhin të studiojnë në një nga degët e shpallura prioritet kombëtare.
Në përfundim të 3 viteve studentët kanë detyrim të qëndrojnë të paktën tre vite në Shqipëri, të punojnë për institucionet shqiptare dhe të japin kontribut për zhvillimin e vendit.
Znj. Kushi theksoi se tashmë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hartuar udhëzimin dhe ka shpallur afatet, dokumentacionin, kriteret dhe thirrja është hapur. Ky proces do të vijojë deri në janar 2023, kur pritet të bëhen gati listat e studentëve përfitues.