Ministry of Education and Sports

PËRGJIGJA E MINISTRES KUSHI NDAJ PRETENDIMEVE PËR SHKELJE TË KUSHTETUTËS PËR PROJEKTLIGJIN PËR PROGRAMIN MJEKËSI E PËRGJITHSHME

“I falënderoj kolegët për të gjitha argumentet dhe shqetësimet e ngritura, një pjesë të të cilave i ndajmë së bashku, por që pjesa më e madhe e argumenteve të kolegëve të opozitës natyrisht ne nuk biem dakord.
Me qenë se kryefjalë ishte shkelja e kushtetutës dua ta sqaroj edhe një herë këtë çështje, edhe pse e paraqita që në prezantim, po ashtu edhe relatorja e shumicës.

Ne nuk i detyrojmë studentët. Pra studentët nuk vendosen përpara një detyrimi. Studentët janë të lirë të zgjedhin nëse do të përfitojnë nga lehtësirat, apo jo. Dhe meqenëse iu referuam nenit 57 të kushtetutës, atëherë unë po i përmbahem argumenteve ligjore që janë përfshirë edhe në relacion, që të jem sa më e saktë. Pra projektligji është në përputhje me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet e drejta për arsimim, si një e drejtë universale dhe kushtetuese.

Ligji nuk e cenon thelbin e kësaj të drejte kushtetuese. Duke qenë se çdo student ka të drejtë të zgjedhë, nëse dëshiron të përfitojë nga lehtësitë që krijohen me nënshkrimin e marrëveshjes, apo nëse nuk pranon për të lidhur këtë marrëveshje.
Duke iu përgjigjur detyrimit që lindin për pagesat e tarifave të studimit. Respektohet parimi i sigurisë juridike. Ku respektohet vullneti i lirë i çdo kandidati apo studenti për të vendosur vetë nëse do të përfitojë nga të drejtat e përcaktuara në këtë ligj apo jo. Në këtë mënyrë nuk kemi cenim të të drejtës së fituar për studentët e viteve të ndërmjetme, pasi tarifat e reja të përcaktuara në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes i referohen vetëm viteve të mbetura. Pa patur asnjë efekt prapaveprues dhe bazohen vetëm në koston e studimeve për këtë program.”