Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, gjatë fjalës së saj në ceremoninë e përvjetorit të 70-të të Universitetit të Mjekësisë, u përqendrua tek një prej sfidave kryesore, largimi i mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të BE-së.

“Një nga sfidat që ne kemi përpara dhe që duhet ta shikojmë drejt në sy e duhet ta pranojmë është largimi i mjekëve dhe infermierëve të rinj kryesisht, drejt vendeve të BE-së. Natyrisht drejt pagave më të larta, një cilësie jete më të mirë, por edhe si përgjigje të nevojave që ka sot tregu evropian për profesionistë në fushën e mjekësisë. Sigurisht ne jetojmë në një botë të lirë ku gjithsecili ka të drejtë të zgjedhë ku të jetojë e punojë, por ne i duam të rinjtë tanë këtu, në Shqipëri, – është shprehur Ministrja Kushi.

Për këtë arsye ministrja u shpreh se janë ndërmarrë një sërë reformash. Përveç rritjes së vazhdueshme të pagave rë njekëve, përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, janë hartuar edhe politika të reja arsimore.

Një nga politikat është ajo për maturantët dhe studentët e shkëlqyer të cilët përjashtohen nga tarifat dhe përfitojnë bursa sa paga minimale, por natyrisht me kushtin që pas diplomimit të punojnë, jetojnë, e të japin kontribut për vendin minimumi për 3 vite.

Znj. kushi shtoi se universiteti më i preferuar nga studentët e shkëlqyer është UMT, ku mbi 50% e maturantëve që fituan medalje të artë, kanë zgjedhur të studiojnë pikërisht këtu.

Ministrja ndër të tjera ka nxitur pedagogët që të marrin sa më shumë fonde nga BE-ja me anë të projekteve. Ajo shtoi se falë arritjeve dhe rolit aktiv në procesin e ndërkombëtarizimit sot UMT është ngritur në nivelin e universiteteve më prestigjioze evropiane.

Në përfundim ajo shtoi se studentët kanë përgjegjësinë e lartë që ta çojnë përpara traditën e këtij universiteti dhe në shembullin e pedagogëve e mjekëve më të mirë në Shqipëri.

“Unë uroj që edhe ju të ardhmen tuaj ta shikoni këtu në Shqipëri,” – theksoi Znj. Kushi.

 

https://fb.watch/hef15BtD9W/