Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi organizoi sot një takim për konsultim publik të Draft-Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026 me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë këtij takimi ajo u shpreh se një nga momentet më kyçe për gjithë strategjinë është konsultimi publik. Ky proces ka nisur prej disa javësh në qytete të ndryshme të vendit, duke përfshirë të gjitha grupet e interesit. Mësues, pedagogë, nxënës dhe studentë, shoqëri civile.

“Ishte domosdoshmëri zhvillimi i një takimi edhe me ju, partnerët tanë, të cilët na keni qëndruar gjithnjë pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë” – u shpreh Kushi gjatë takimit.

Ajo nënvizoi se në këtë strategji në radhë të parë është analizuar me kujdes situata aktuale, dhe me rëndësi është identifikimi jo thjesht i arritjeve, por i shqetësimeve që ka sistemi arsimor, në të gjitha hallkat.

Ministrja i ka falënderuar partnerët ndërkombëtar për mbështetjen e deritanishme, duke shprehur gatishmërinë institucionale për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe projekteve të reja me fokus gjithëpërfshirjen dhe rritjen e cilësisë në arsim.

“E vlerësojmë shumë procesin e konsultimit publik, jo thjesht për të marrë ide dhe sugjerime se si ta përmirësojmë draft-strategjinë tonë, për ne është shumë e rëndësishme që të kemi një dakordësi publike për strategjinë e Arsimit,”- tha ministrja.

Më tej ajo ka theksuar se për ta zbatuar këtë strategji nuk mjafton vetëm vullneti dhe energjia, por duhet që të jenë të gjithë bashkë, institucionet dhe shoqëria.

“Një strategji mund të jetë shumë e mirë e shkruar në letër, por nëse nuk zbatohet atëherë vlera e saj nuk to të ishte ajo për të cilën është krijuar,”- u shpreh Znj. Kushi.

 

 

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/289338572881584/?d=n