Ministry of Education and Sports

Parlamenti i dytë i Nxënësve të Shqipërisë është mbledhur në një ceremoni përmbyllëse, në të cilën Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi shpërndau certifikata për anëtarët e ‘Parlamentit të Nxënësve’ për kontributin e dhënë përgjatë mandatit të tyre dy vjeçar 2021-2023.
Ministrja Kushi gjatë këtij takimi nënvizoi se nxënësit që u bënë pjesë e këtij parlamenti, kanë qenë mjaft aktivë dhe mbështetës për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në ndihmë të hartimit, zhvillimit dhe zbatimit të politikave tona në arsimin parauniversitar.

“Unë dua t’ju falënderoj për kontributin që keni dhënë në këto dy vite. Ka qenë një kontribut që ju ndoshta nuk e kuptoni sa i madh ka qenë për ne. Sepse gjithmonë për vendimet që duhet të marrim, edhe për iniciativat e reja, edhe për ligjet madje, për ne ka shumë rëndësi qasja juaj, mendimi juaj. Ato sugjerimet tuaja, kritikat tuaja. Ajo që unë do t’ju sugjeroja është që të vazhdoni të jepni kontribut edhe në forma të tjera . Sepse përveç kontributit që ju keni dhënë për ne në fakt, kjo përvojë ju ka vlejtur ju. Sot ju shoh më të rritur, ju shoh më të formuar, më të artikuluar. Dhe vërtetë jam shumë krenare për ju” – shprehet ministrja.

Znj. Kushi theksoi se këta nxënës kanë përfaqësuar dhe kanë përcjellë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave në vend.

“Ju nuk keni qenë vetëm vetvetja në këtë parlament, por ju keni përfaqësuar edhe zërin, mendimin e të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj,” – nënvizon znj. Kushi.

 

https://www.facebook.com/watch/?v=1464167490994597&extid=CL-UNK-UNK-UNK-IOS_GK0T-GK1C&mibextid=2Rb1fB&ref=sharing