Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në fjalën e saj gjatë ceremonisë së 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës theksoi se çdo përvjetor, më shumë se sa festë është një moment reflektimi. Znj. Kushi tha se Universiteti i Tiranës ka bërë shumë progres dhe kjo shihet qartë nga vlera që ka diploma e këtij universiteti.
Më tej ministrja tha se rritja e cilësisë është sfida e parë e universiteteve, për të cilën qeveria dhe Ministria e Arsimit shpalli politikën e ndërkombëtarizimit të universiteteve.
“Dua ta përgëzoj Universitetin e Tiranës sepse është avangard në këtë proces. Dua ta përgëzoj për numrin e lartë të programeve të studimit në i ofron në gjuhë të huaj, në anglisht, për programet e përbashkëta, për programet e dyfishta, shkëmbimet dhe marrëveshjet që ka me universitetet më prestigjioze sot në botë,” – u shpreh ministrja.

Ministrja tha se për këtë universitet një ambicie shumë e rëndësishme duhet të jetë përfshirja në renditjen evropiane dhe ndërkombëtare.
“Universiteti i Tiranës e ka të gjithë potencialin për tu renditur ndër më të mirët në rajon, por pse jo edhe në Evropë e më gjerë. Kemi nisur procesin e renditjes së universiteteve në vend, por sfidë mbetet përfshirja në renditjet ndërkombëtare,” – theksoi znj. Kushi.

Kërkimi shkencor është një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Edhe pse shumë i rëndësishëm, kërkimi shkencor nuk është qëllim në vetvete. Ai duhet t’i shërbejë vendit, duhet t’i përgjigjet kërkesave e problematikave.
“Universitetet nuk duhet të jenë ishuj të izoluar, por të kenë një bashkëpunim të ngushtë me biznesin, me institucionet, duhet të jenë pjesë e rrjeteve për të qenë jo vetëm pjesë e zhvillimit, por katalizatorë të zhvillimit,” – u shpreh ministrja.

 

https://fb.watch/hrd53c76y8/