Ministry of Education and Sports

Për sa i përket kostos që studentëve dhe familjeve të tyre, ministrja e arsimit dhe Sportit Evis Kushi u shpreh:
“Ju pretenduat që prindërit e studentëve të mjekësisë paguajnë taksa për shkollimin e fëmijëve të tyre. Patjetër, kjo është e vërtetë. Por ndërkohë për shkollimin e tyre paguajnë taksa edhe prindërit e tjerë, edhe qytetarët e tjerë. Cili është problemi ynë. Prindërit e tyre paguajnë taksa edhe për të marrë shërbim shëndetësor.
Edhe që ne si shtet t’i garantojmë mbulimin e nevojave me kujdes shëndetësor. Tarifa që paguajnë studentët e mjekësisë është shumë e ulët. Në raport me koston që shteti sigurisht paguan nëpërmjet taksave.
Këtu nuk është ideja që shteti të mbrojë interesat e veta. Shteti ka detyrimin të mbrojë interesat e të gjithë qytetarëve për kujdes shëndetësor. Këtu prevalon e mira publike.

Këtu jemi përballë interesit publik përpara interesit të një numri të kufizuar, që në këtë rast janë studentët e Mjekësisë, të cilët i mirëkuptoj në shqetësimet e tyre, në ambiciet e tyre, kërkesat që kanë, në lirinë që kërkojnë.

Ju e thatë pak më parë, që kur regjistrohen në vit të parë paralelisht bëjnë edhe kursin e gjermanishtes që të largohen. Pra ata edhe pa e ditur nëse do të jenë të kënaqur apo jo pas 6 vitesh, pa e ditur a do jenë të kënaqur me cilësinë ata kanë objektiv të shkojnë në Gjermani.

A e kemi ne luksin ne si shtet që t’ua paguajmë ne edhe tarifat e studimit, edhe kostot e tjera kur jemi të vetëdijshëm që ata nuk do mbulojnë nevojat tona për kujdes shëndetësor.
Kjo kategori që e ka objektivin që në vitin e parë që të largohen menjëherë pas studimeve, që në fakt i marrin të drejtën dikujt tjetër që dëshiron të konkurrojë për mjekësi dhe të rrijë të punojë këtu. Jemi përpara këtyre zgjedhjeve.
Është një pjesë që është dakord të studiojë në universitetin shtetërore me tarifat minimale, pjesa më e madhe që përfitojnë bursë, që më pas duan të largohen, dhe kategoria tjetër që duan të studiojnë dhe të punojnë në vend.

Ne këtu që kemi përgjegjësinë që të mendojnë për interesin e tyre, për interesin e prindërve, por edhe për interesin e lartë publik për të gjithë vendin. Pra ne duhet të mbështesim atë kategori që duan të punojnë dhe jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri apo ata që e kanë ndarë mendjen që në fillim që të bëjnë një arsimim pothuajse falas dhe pastaj të ikin të kontribuojnë për vendet e tjera.

Kjo është dilema jonë dhe arsyeja që na ka sjellë ne në këtë vendimmarrje. Dua ta ritheksoj se kjo është një praktikë që aplikohet edhe nga vendet si Gjermani, jo vetëm për mjekësinë por edhe programe të tjera.”