Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka inspektuar zbatimin e nismës “Bëjmë detyrat e shtëpisë” në Shkollën e Kuqe në Tiranë

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka inspektuar zbatimin e nismës “Bëjmë detyrat e shtëpisë” në Shkollën e Kuqe në Tiranë. Nga informacioni i marrë nga fëmijët, prindërit por edhe mësuesit, rezultatet janë të kënaqshme ndërsa pritshmëritë e shkollës janë të larta pasi ka kërkesa në rritje të prindërve për të regjistruar fëmijët për të ndjekur këtë program mësimi por edhe argëtimi njëkohësisht. Ministrja Nikolla pas inspektimit në klasa të nismës që vetëm pak javë ka që ka nisur, deklaroi se do të monitorohet ky projekt pilot hapa pas hapi për të parë edhe progresin që do të kenë fëmijët në mësim-nxënie dhe në rezultatet që do të arrijnë.

“Ne po vëzhgojmë me vëmendje jo vetëm nevojat që kanë mësuesit dhe shkollat që ky projekt të zbatohet në mënyrë që të kënaq të gjitha pritshmëritë tona, por më e rëndësishmja, duke verifikuar hap pas hapi situatën sesa ky projekt ndikon në arritjet e nxënësve. Është i mirëpritur nga prindërit, dhe ne besoj shumë shpejtë do kemi raportime se si ka evoluar cilësia e nxënies në të gjitha shkollat që janë përfshirë në projektin “Të bëjmë  detyrat e shtëpisë”.- deklaroi Nikolla

Krahas këtij projekti, nisma 3 lëndë në 6 orë, sipas ministres së arsimit,  i ka dhënë një tjetër lehtësi shkollës dhe fëmijëve në mbinagrkesën mësimore, për të pasur më të lehtë përthithjen e njohurive, aty në klasë dhe së bashku me mësuesit, duke lehtësuar maksimalisht prindërit dhe lënë kohën e nevojshme për ta për t’u argëtuar me fëmijët në orët e pasdite dhe nxitur kreativitetin tek ta.