Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla pret ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, z. Florian Raunig

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla priti sot në takim, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Florian Raunig.

Ministrja Nikolla vlerësoi ndihmën e OSBE-së për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe vuri theksin në programin e Qeverisë Shqiptare për t’i dhënë një dimension të ri këtij bashkëpunimi. Gjatë takimit, u vlerësua ecuria e deritanishme e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe u diskutua për çështje që kanë të bëjnë me kategoritë e veçanta sociale si komuniteti ballkano-egjiptian, ai rom dhe për fëmijët në nevojë.

Znj. Nikolla falënderoi z. Raunig për mbështetjen që OSBE u ka dhënë dhe vazhdon t’u japë shkollave tona dhe shtoi rëndësinë që kanë këto institucione, jo vetëm për përçimin e dijes dhe të edukatës qytetare, por dhe për promovimin e demokracisë në mbarë vendin.

Ambasadori Raunig uroi Ministren Nikolla për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e tij për organizimin dhe realizimin e tryezave të përbashkëta që do të ndihmonin në vendimmarrjen institucionale në përmirësimin e politikave arsimore për vendin tonë.