Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla merr pjesë në ceremoninë e përurimit të Zyrës së Karrierës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë e përurimit të “Zyrës së Karrierës” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në kuadër të programit “Dyer të Hapura: Të studiosh në Francë 2013”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadorja e Francës, Rektori i Universitetit të Tiranës, dekanë, pedagogë dhe studentë. 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi Ambasadoren e Francës për mbështetjen e qeverisë franceze gjatë gjithë këtyre viteve, për arsimin e lartë dhe shkencën në Shqipëri. 

“Jam e shumënderuar që sot ndodhem midis jush për t’i thënë, udhë të mbarë, “Zyrës për Këshillimin e Karrierës”, dhe padyshim i shpreh znj. Ambsadore, z. Rektor dhe Dekanit gjithë mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në mënyrë që zyra dhe projekte të tilla të shtrihen në të gjitha universitetet e Shqipërisë”, – tha znj. Nikolla.

Ministrja Nikolla, u shpreh se mirëpriste hapjen e zyrave të tilla, të cilat nuk do të shërbejnë vetëm për shkëmbimin e eksperiencave dhe këshillimin e studentëve për të ndjekur universitetet franceze. “Projekte të tilla do bëjnë të mundur krijimin e asaj që duhet të ndërtohet, hapësirës europiane të arsimit të lartë duke krijuar një nivel krejtësisht të ri të përqasjes së tij me gjithë praktikat më të mira të zhvillimit të vendit si dhe qasjen e sistemit tone të arsimit të lartë me tregun e punës”, u shpreh Ministrja Nikolla, duke siguruar gjithashtu drejtuesit e universiteteve dhe partnerët për motivimin e saj institucional për të qenë pranë tyre me mbështetje politikash drejt zhvillimit të arsimit. 

Znj. Nikolla dhe gjithë të pranishmit, në përfundim të ceremonisë vizituan ambientet e Zyrës së Karrierës në FSHN.