Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla merr pjesë në aktivitetin “Kampi Rajonal i Inovacionit”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në aktivitetin “Kampi Rajonal i Inovacionit”, të organizuar në Universitetin Politeknik të Tiranës. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të nxënësve nga 30 shkolla të mesme, pjesë e rrjetit Junior Achievement.

Ministrja Nikolla, falënderoi Junior Achievement, Microsoft Albania dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për organizimin e këtij aktiviteti që ka në fokus të rinjtë që spikatin në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Ajo theksoi rëndësinë e përqendrimit në nevojat reale të tregut të punës, të cilat do të plotësohen pikërisht nga këto talente të reja, që do të jenë në fokus që në nivelet e arsimit parauniversitar: në atë bazë dhe të mesëm të lartë, duke i motivuar nëpërmjet krijimit të mundësive të reja dhe vënies në punë të kapacitetit të tyre intelektual. “Por, puna nuk duhet të kufizohet këtu, ne duhet të trajnojmë dhe mësuesit, duke përdorur instrumentet dhe mekanizmat e duhur për t’u ardhur në ndihmë potencialeve të vendit tonë”, – u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Duke e vlerësuar si të rëndësishëm dyfishimin e numrit të nxënësve dhe mësuesve që do të përfitojnë nga ky program, ministrja Nikolla garantoi mbështetjen e ministrisë që drejton dhe të qeverisë që përfaqëson, se do të mbështesë gjithmonë iniciativa të tilla.

Në përfundim të ceremonisë, ministrja Nikolla përgëzoi nxënësit që morën pjesë në këtë projekt dhe shpërndau çertifikatat për fituesit.