Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla merr pjesë në aktivitetin "Garë për mbijetesë"

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla mori pjesë në aktivitetin "Garë për Mbijetesë", si pjesë e fushatës së organizatës "Save the Children" me moton "Save the Children Every One", të organizuar në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa". Në aktivitetin që zhvillohet njëkohësisht në 50 vende të botës, marrin pjesë mbi 30.000 fëmijë, përfshirë edhe Shqipërinë.

Znj. Nikolla, falënderoi përfaqësuesit e organizatës "Save the Children" për organizimin e këtij aktiviteti me një mesazh kaq domethënës. 

Ministrja Nikolla u shpreh se qeveria që ajo përfaqëson ka vendosur të shohë në sy fëmijët dhe kjo garë për mbijetesë duhet të shërbejë si një ftesë e hapur drejtuar qeverisë për të siguruar një jetë më të mirë të fëmijëve të Shqipërisë. 

"Ju garantoj që ne, do të jemi me ju për të bërë më të mirën, që jeta juaj të jetë vërtet e lumtur dhe kjo garë të shërbejë si pikënisje e garës së kërkesave për një shkollë më të mirë, shërbim shëndetësor më të mirë dhe një jetë më të mirë. Në këtë garë, edhe ne do të ecim shpejt dhe fort, duke punuar me përkushtim e ndershmëri për një të ardhme më të mirë për ju", – u shpreh znj. Nikolla.

Ministrja Nikolla, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj ndoqën me vëmendje nga afër zhvillimin e garës.