Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla takim me rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka zhvilluar një takim me rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni pas shqyrtimit të ankesave të maturantëve për përzgjedhjen e degëve dhe pikëve që ata kanë grumbulluar.

Në përfundim të këtij takimi, ministrja Nikolla theksoi se ky sistem, i cili aplikohet për herë të parë nga Ministria e Arsimit, është një sistem transparent dhe funksional.

“Kemi vënë në funksion një sistem të ri, i cili e bënë shumë më të lehtë zgjedhjen dhe jetën e çdo maturanti. Ka ndryshuar fakti që nuk është më Qeveria, nuk është më Agjencia Kombëtare e Provimeve që bënë përzgjedhjen e maturantëve për të vijuar studimet në universitet. Pra, maturanti nuk e ka më marrëdhënien me kompjuterin por ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me universitetin, ashtu siç ndodh në çdo vend të Europës apo vendet e zhvilluara.” tha ministrja Nikolla.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit i bënë thirrje maturantëve për ankimim pranë universiteteve për cilindo që mendon se i është shkelur e drejta. Në datën 11 shtator, janë universitetet të cilat do të shpallin listën e të gjithë aplikantëve, duke përfshirë edhe shqyrtimin e ankimimeve që kanë ardhur. Më pas do të kemi listat përfundimtare.

‘Ne sot nuk jemi në listën e fituesve por në fotografinë e parë, që ka listuar të gjithë maturantët që kanë aplikuar për në universitete, në 10 degët e aplikuar. Pra kjo nuk është lista e fituesve por fotografia e parë, e cila deri dje ishte e fshehtë, sot është publike.’u shpreh Nikolla.

Ministrja theksoi edhe njëherë se ky proces garanton meritë, transparencë, përgjegjshmëri duke sjell një cilësi të re të diplomave.