Ministry of Education and Sports

“Mësuesi i Vitit 2022” është mbrëmja e kthyer në traditë tashmë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të shprehur mirënjohjen dhe respektin ndaj mësuesve, punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë në shkolla, të cilët japin çdo ditë kontributin e tyre të vyer në shërbim të nxënësve.

Mund të jetë një imazh i 7 persona, njerëz në këmbë dhe teksti

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj dha disa mesazhe të rëndësishme, ku padyshim mesazhi kryesor ishte angazhimi për mbështetje maksimale.

“Ju të dashur mësues, dua t’ju garantoj që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ju të vlerësoheni dhe të trajtoheni me dinjitetin e merituar. Nuk dua të përsëris ato që i pamë në video. Por dua t’ju garantoj që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të patur një kuadër ligjor e nënligjor të përshtatshëm për ju, në mbështetje për ju.”- u shpreh ministrja.

Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz në këmbë, Pema e Krishtlindjes dhe ambiente të brendshme

Ndërsa mesazhi tjetër i ministre Kushi ishte për shoqërinë, të cilës i bëri thirrje që të edukojnë fëmijët  që t’i duan dhe t’i respektojnë më shumë mësuesit.

 

“Sot kam një thirrje në radhë të parë për shoqërinë. Ta duam më shumë figurën e mësuesit. Ta vlerësojmë e respektojmë më shumë. Dhe t’i edukojmë fëmijët tanë në shtëpi që t’i duan dhe t’i respektojnë më shumë mësuesit” – tha znj. Kushi.

 

Fjala e plotë e Ministres Evis Kushi gjatë ceremonisë “Mësuesi i Vitit 2022”

 

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

I nderuar kryeministër,
Të dashur mësues, mësuese, miq e të ftuar,

Tashmë e kemi kthyer në një traditë që çdo fund viti mblidhemi së bashku dhe organizojmë ceremoninë “Mësuesi i Vitit”, për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që japin kontribut për edukimin e brezave, për formimin e qytetarëve të denjë, dhe për lartësimin e figurës së mësuesit.

Por gjithmonë meraku që unë kam është që ata që e meritojnë këtë titull janë shumë më tepër se sa ne që jemi këtu në këtë sallë. Këtë titull e meritojnë të gjithë ata mësues në shkolla të mëdha, në qendra të qyteteve që i bëjnë nxënësit të arrijnë rezultate të larta, të fitojnë olimpiada, konkurse, të dalin shkëlqyeshëm në Maturën Shtetërore, por po ashtu e meritojnë edhe ata mësues që punojnë në shkolla të largëta, që sakrifikojnë për të shkuar pranë nxënësve, që udhëtojnë edhe me orë të tëra, që punojnë edhe në kushte më të vështira.

E pra mirënjohja jonë sot dhe gjithmonë është për të gjithë ju, dhe ata mësues që nuk ishin dot sot këtu me ne. Shumë faleminderit nga zemra për kontributin që jepni çdo ditë për këtë që nuk është vetëm profesion, por është një mision.

Ka një shprehje shumë të njohur për mësuesit që thotë:
Mësuesi i mirë shpjegon, mësuesi shumë i mirë demonstron, por mësuesi i shkëlqyer frymëzon. Prandaj unë ju falënderoj që të gjithëve që frymëzoni fëmijët tanë. Ju keni fuqinë të ndryshoni jetët e tyre. Ju keni fuqinë të ndryshoni të ardhmen e tyre, ju keni fuqinë ta bëni botën një vend më të mirë.

Por sa shumë pret shoqëria nga ju, e je nuk mundemi dot asnjëherë t’jua shpërblejmë këtë kontribut. Këtu nuk e kam fjalën për shpërblim monetar, që natyrisht ne nga viti në vit përpiqemi ta përfshijmë në buxhetet tona. Më shumë e kam fjalën mirënjohjen publike, për vlerësimin e gjithë shoqërisë për ju.

Shpesh na rrëmben e përditshmja. Merremi me ato problemet, me hallet, shqetësimet e përditshme. Ndonjëherë një problem në një shkollë, një ngjarje e pakëndshme, një gabim i një mësuesi bëhet lajm i parë në të gjitha mediat, dhe më keq akoma, përgjithësohet sikur ky është realiteti në të gjithë sistemin tonë arsimor. Por në fakt nuk është kështu. Në fakt ne harrojmë që është një armatë e tërë me mijëra mësues që punojnë çdo ditë me përkushtim, me ndershmëri, me sakrifica për të qenë pranë nxënësve të tyre.

Prandaj unë sot kam një thirrje në radhë të parë për shoqërinë. Ta duam më shumë figurën e mësuesit. Ta vlerësojmë e respektojmë më shumë. Dhe t’i edukojmë fëmijët tanë në shtëpi që t’i duan dhe t’i respektojnë më shumë mësuesit.

E nga ana tjetër, ju të dashur mësues, dua t’ju garantoj që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ju të vlerësoheni dhe të trajtoheni me dinjitetin e merituar. Nuk dua të përsëris ato që i pamë në video. Por dua t’ju garantoj që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të patur një kuadër ligjor e nënligjor të përshtatshëm për ju, në mbështetje për ju.

Ne do të bëjmë gjithçka që edhe portali “Mësues për Shqipërinë” edhe ta përmirësojmë, por edhe ta zbatojmë me rigorozitet. Në mënyrë që punësimet të bëhen me meritokraci dhe transparencë. Ne do të bëjmë gjithçka për trajnimin tuaj të vazhdueshëm.

Gjithçka që mundemi që ju të keni kushte edhe më të mira në punë. Por mbi të gjitha ne do të jemi pranë jush, që të gjitha problemet dhe shqetësimet ne t’i zgjidhim së bashku.
Dhe sot në këtë mbrëmje ne nuk kemi ftuar vetëm mësues, por kemi edhe punonjës socialë, edhe psikologë, edhe oficerë sigurie, edhe mësues ndihmës që punojnë me nxënësit me aftësi ndryshe.
Sepse të gjithë ju jeni skuadra që në shkollat tona punoni për edukimin e nxënësve, për qytetarët e denjë, por edhe për të krijuar një mjedis sa më të ngrohtë e të shëndetshëm e familjar për nxënësit tanë.

Prandaj edhe një herë, pa u zgjatur, ju falënderoj nga zemra dhe shfrytëzoj këtë moment për t’ju uruar të gjithëve festa të gëzuara, dhe një vit të ri sa më të mbarë dhe me suksese të gjithë së bashku!

Shumë faleminderit!