Ministry of Education and Sports

Mësues-prindër-komunitet në aleancë për të ardhmen

Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi pasditen e ditës së premte finalen e fundit publike për zgjedhjen e drejtuesit të Drejtorisë Arsimore Rajonale për qytetin e Tiranës. Pas 12 finaleve të zhvilluara në 12 qarqe brenda 10 ditëve, finalja e Tiranës përmbyll një proces të paprecedent, demokratik, transparent, të pavarur dhe bazuar mbi vlerat dhe meritokracinë e kandidatëve.

Në prani të Kryeministrit, z. Edi Rama, ministrja Lindita Nikolla i rikujtoi të pranishmëve zotimin e saj personal dhe institucional për të luftuar pa kompromis korrupsionin, depolitizimin e sistemit arsimor si e vetmja alternativë për një reformë të thellë dhe rrënjësorë në institucionet e dijes së brezit të gjeneratës tjetër. “Dituria dhe arsimimi i fëmijëve tanë janë një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, cilësia e arsimimit është çelësi i suksesit për të ardhmen tonë europiane, e vetmja rrugë për të garantuar shanse të barabarta për të gjithë, brezat e sotëm dhe të atyre që do të vijnë pas. Ky është vizioni ynë! Ndaj ne nuk e nisëm punën tonë me emërime, po me monitorim të situatës! Dhe, pa asnjë habi e me shumë keqardhje, pamë sesi shkeljet e gjetura konfirmuan dëshmitë e prindërve, historitë e mësuesve e ngjarje të treguara nga nxënësit, për një sistem arsimor tejet të korruptuar, për një shkollë të dhunuar e shumë larg misionit të saj”.

Duke u ndalur tek zgjedhja e drejtorëve të rinj të DAR, ministrja Nikolla tha se ky proces ecën paralelisht me vullnetin e Qeverisë dhe misionin fisnik të vendosjes së një standardi krejt ndryshe shumë të distancuar nga e kaluara. “Standardit të ligjshmërisë, të garës së ndershme, bazuar mbi parimet e konkurrencës e të meritës dhe në transparencë të plotë publike”.

Në këtë proces konkurruan mbi 220 kandidatë nga e gjithë Shqipëria, 28 prej të cilëve vetëm për DAR-in Tiranë Qytet. Kandidatët që kaluan në fazën finale, vijnë pas një testimi të mirëfilltë, pas testimit me shkrim dhe intervistave para komitetit ad-hoc, faza këto të zhvilluara në transparencë të plotë publike.

 
Ju njohim me 13 drejtuesit e rinj të Drejtorive Arsimore Rajonale në vend:

 

Tirana Qytet: Mimoza Kuqi

Tirana Qark: Eglantina Metani

Durrës: Lindita Muka

Elbasan: Jonida Cungu

Fier: Shkelqim Hallkaj

Vlorë: Albana Hodaj

Shkodër: Erjeta Laçej

Berat: Selman Hodaj

Lezhë: Bardhok Pulaj

Kukës: Ali Xhahu

Dibër: Drini Gjeçi

Gjirokastër: Lindita Rova

Korçë: Kristaq Grabocka

Fjala e Ministres, Lindita Nikolla, në konkursin për përzgjedhjen e Drejtorit të DAR- Tiranë Qytet:

Në daljen time të parë për shtyp si ministre e Arsimit dhe Sportit lajmërova fillimin e fundit të militantizimit dhe korruptimit të shkollës përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve, fillimin e procesit të reformimit, që synon çlirimin e shkollës njëherë e përgjithmonë nga politika.

Dituria dhe arsimimi i fëmijëve tanë janë një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, cilësia e arsimimit është çelësi i suksesit për të ardhmen tonë europiane, e vetmja rrugë për të garantuar shanse të barabarta për të gjithë, brezat e sotëm dhe të atyre që do të vijnë pas. Ky është vizioni ynë!

Ndaj ne nuk e nisëm punën tonë me emërime, po me monitorim të situatës! Dhe, pa asnjë habi e me shumë keqardhje, pamë sesi shkeljet e gjetura konfirmuan dëshmitë e prindërve, historitë e mësuesve e ngjarje të treguara nga nxënësit, për një sistem arsimor tejet të korruptuar, për një shkollë të dhunuar e shumë larg misionit të saj.

Gjetjet e rezultatet e këtij monitorimi, vetëm këto janë arsyeja pse ne pezulluam menjëherë nga detyra 13 (trembëdhjetë) drejtorët e DAR-ve në qarqet e vendit.

Procesi, faza përmbyllëse e të cilit po zhvillohet sot, e fundit etapë e një rrugëtimi në të gjithë vendin, është pikërisht shprehi e një vullneti të qartë: Vullnetit të Qeverisë dhe të institucionit që unë përfaqësoj për t’u distancuar nga e kaluara nëpërmjet vendosjes të një standardi krejt ndryshe, standardit të ligjshmërisë, të garës së ndershme, bazuar mbi parimet e konkurrencës e të meritës dhe në transparencë të plotë publike.

Në këtë proces konkurruan mbi 220 kandidatë nga e gjithë Shqipëria, 28 prej të cilëve vetëm për DAR-in Tiranë Qytet. Kandidatët që kemi sot këtu, vijnë pas një testimi të mirëfilltë, pas testimit me shkrim dhe intervistave para komitetit ad-hoc, faza këto të zhvilluara në transparencë të plotë. Për mbarëvajtjen e tyre ju jeni informuar hap pas hapi.

Kemi përfunduar finalet në 11 Qarqe, si dhe Tiranën Qark, dhe sot e mbyllim me finalen e fundit atë të Tiranës qytet.

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të ndaj me ju të vërtetat e mia mbi këtë proces.

Ne, Qeveria e Edi Ramës, nuk do të ishim këtu sot pa këtë vullnet të qartë për të ndryshuar.

Nëse ne do të kishim vepruar si ata që na paraprinë, drejtori apo drejtoresha e DAR-it Tiranë Qytet do të ishte emëruar sapo unë mora detyrën, që ditën e parë në zyrën e ministres së Arsimit dhe Sportit, në shkelje të ligjit e me fudullëkun e një pushtetari krejtësisht indiferent ndaj fateve të arsimit shqiptar. Por ne nuk vepruam kështu, dhe ju jeni dëshmitarë që nuk ndodhi kështu.

Unë, nëse do të kisha vepruar si paraardhësit, mund të rrija në zyrë e të prisja kandidaturat që do të më paraqiteshin nga komiteti ad-hoc, pas testimeve me shkrim dhe me gojë, e të përzgjidhja më pas kandidatin/kandidaten që do të preferoja, pa e bërë fare publik të gjithë procesin.

Edhe pse ligji ma njeh të drejtën për të përzgjedhur, unë hoqa dorë dhe vendosa që drejtori/drejtoresha e DAR-it të zgjidhej në transparencë të plotë e me përfshirjen tuaj në proces, si monitorues dhe vendimmarrës nëpërmjet përfaqësuesve tuaj në jurinë që ndodhet në këtë sallë sot.

Ne kemi bindjen se beteja për cilësinë e arsimit, për sigurinë e shkollës, për rikthimin e shkollës në horizontin e misionit të saj fisnik dhe për depolitizimin e saj, nuk mund të fitohet pa një partneritet të shëndoshë mësues-familje-komunitet.

Vetëm nëse ne arrijmë të ndërtojmë një shkollë të hapur ndaj komunitetit, ku të gjithë aktorët ndihen të përfshirë në mbrojtje të së ardhmes së fëmijëve tanë, do të jemi në gjendje të parandalojmë ngjarje të dhimbshme, si ajo që lëndoi zemrën e një nëne dhe shpirtin e një kombi anembanë me atë tragjedi të ndodhur para dy ditësh në një shkollë në Shkozet të Durrësit.

Projekti ynë “Shkollat si Qendra Komunitare” është një nismë që i kthen shkollën komunitetit, duke i mundësuar mbështetje të plotë atij dhe familjes në sfidën e arsimimit cilësor të brezave.  Përgatitja e fëmijëve dhe e të rinjve pa dallime për shoqërinë e të sotmes dhe të së nesërmes është një detyrë që na takon të gjithëve. Kur shkolla, familja dhe komuniteti punojnë së bashku, forcohet procesi i edukimit, formimit e zhvillimit të personalitetit të nxënësve, ndërtohet e mbrohet jeta e fëmijëve tanë. Bashkëpunimi mësues-familje-komunitet është një partneritet i fuqishëm që mbron dhe ndërton shoqërinë, një shoqëri që ka aq shumë nevojë të kurohet dhe të mbrohet pikërisht aty ku dhe është lënduar më shumë, te fëmijët tanë, tek e ardhmja jonë.

Në të njëjtën kohë, ftoj mësuesit, prindërit dhe komunitetin të njihen me rolin që ata kanë në proceset e përzgjedhjes së drejtuesve të institucioneve arsimore dhe mësuesve nëpër shkolla, sepse ne shumë shpejt do të nisim një fushatë sensibilizuese e informuese mbi procesin e përzgjedhjes së mësuesit dhe drejtorit në shkollat tona, paraprirë kjo nga tri udhëzimet që tashmë i kemi publikuar në faqen tonë zyrtare.

Që sot e tutje, në shkollat e arsimit publik, përfaqësuesit e prindërve dhe mësuesit vendosin për emërimin e mësuesve të rinj dhe të drejtorëve të shkollës.

Është e patolerueshme që fëmijët të dalin nga ora e mësimit me njohuri të mangëta! Është ofenduese që familjeve t’u kërkohet më pas të paguajnë shtrenjtë atë që sistemi arsimor u detyrohet: cilësi në arsimimin e fëmijëve tanë!

Zonja dhe zotërinj kandidatë të ulur në këtë skenë sot,

Kjo është shkolla që duhet të keni në fokusin tuaj. Ta keni të qartë që ju do të përgjigjeni për administrimin me përgjegjshmëri të strukturës që do të drejtoni. Por puna juaj do të matet me kutin e cilësisë të arsimimit që i ofrohet çdo nxënësi në çdo shkollë në juridiksionin e drejtorisë suaj. Ju dhe unë do t’u përgjigjemi bashkërisht familjeve që me shumë sakrifica kërkojnë atë që ne u detyrohemi me kushtetutë e me ligj: cilësi në arsim, cilësi në edukim.

Të dashur mësues, prindër dhe të pranishëm në këtë sallë,

Si një ish-mësuese dhe si nënë, u drejtohem mësuesve, prindërve e nxënësve: Jam e vendosur dhe e palëkundur për të çliruar njëherë e përgjithmonë arsimin shqiptar nga mediokriteti, paaftësia dhe propaganda politike.

Në detyrën e lartë që më është caktuar, ndiej përgjegjësinë dhe ndaj me ju vështirësitë e mëdha, sfidat dhe betejat që kemi përpara për rivendosjen e dinjitetit të mësuesit, çlirimin e shkollave nga politika dhe garantimin e arsimit cilësor për fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Jam e angazhuar me mish e me shpirt që, nëpërmjet partneritetit të ri strategjik mes mësuesve, prindërve dhe shtetit, të ndërtojmë modelin e ri të shkollave si qendra të komunitetit; t’i japim shkollës rolin që shkon përtej mësimdhënies, rolin e formimit të qytetarisë së re europiane; ta bëjmë shkollën pikë referimi të komunitetit dhe pikë rëndese të bashkëjetesës demokratike.

Për ne, ngritja e cilësisë së arsimit në standardet europiane është parakusht që do të garantojë cilësinë e gjeneratës tjetër.

Duke u uruar kandidatëve sukses në prezantimet e tyre, më lejoni ta deklaroj të hapur këtë finale publike. 

Ju faleminderit!