Ministry of Education and Sports

Mësues për Shqipërinë - Kapitull i ri për Reformën në Arsim

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot, raportin e inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar në vend.

Gjatë prezantimit të raportit, në prani të Kryeministrit të vendit, Edi Rama, ministrja Nikolla tha se 13 përfaqësues të MAS u deleguan pranë çdo DAR dhe ZA për të kryer monitorimin e zbatueshmërisë së akteve nënligjore të cilat rregullojnë profilet e mësuesve, sipas standardeve të kërkuara nga MAS.

“Kryefjala ka qenë dhe mbetet përmirësimi i shërbimit për 532 mijë përfituesit e drejtpërdrejtë në sistemin e arsimit shqiptar dhe ngritjen e një sistemi solid për të tjerët që vijnë.  Ndaj ne u angazhuam dhe realizuam inspektimin e plotë të cilësisë së burimeve njerëzore në shkollat tona, sepse asnjë reformë nuk është e mundur pa mësues që ofrojnë cilësi”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja shtoi se nga inspektimi rezultuan 1184 mësues tepër në të gjithë Shqipërinë mbi nevojat, 2065 mësues jashtë profilit dhe 1984 mësues që janë pa arsimin përkatës.

Ndër të tjera gjatë fjalës së saj, ministrja Nikolla tha se për zgjidhjen e situatës do të zbatohen nisma si, provimi kombëtar për aplikantët për mësues, licencimi i të gjithë mësuesve dhe krijimi i një database kombëtare të mësuesve deri në qershor 2015 dhe krijimi i një programi të veçantë “Mësues për Shqipërinë” që do të mbështesë mësues që janë të gatshëm të shkojnë në zona të vështira për ato profile ku ka mungesë.