Ministry of Education and Sports

Mësues për Shqipërinë

Që prej ditës së sotme, 12 nëntor dhe deri në 27 nëntor, të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të punësohen si mësues në sistemin parauniversitar mund të aplikojnë duke u regjistruar në portalin mësues.arsimi.gov.al

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka prezantuar  sot, në Shkollën e Kuqe portalin “Mësues për Shqipërinë”, nismën e re të MAS me qëllim menaxhimin e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë në arsim si dhe në ndryshimin e mentalitetit të kërkuesve të punës në këtë sektorë.

“Kjo nismë krijon një situatë të re që lidhet me cilësinë e burimeve njerëzore, duke mundësuar një skuadër mësuesish të dedikuar, që realisht do  përcjellin cilësi, sipas parametrave që meritojnë fëmijët tanë, në çdo orë mësimi, në çdo shkollë të Shqipërisë. Përtej të qenit një proces transparent, është një proces që na largon nga keqmenaxhimi i burimeve njerëzore, duke mundësuar për çdo mësues që jo vetëm të ketë mundësinë të aplikojë për punësim, por përmes testimeve në çdo qark, realizojmë procesin e rankimit të gjithë aplikantëve duke bërë transparente cilësinë e tyre”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja inkurajoi të gjithë ata mësues të cilët do shprehin dëshirën për të punuar në zona të largëta nga vendbanimi i tyre, ku janë identifikuar mungesa dhe tha se kjo kategori mësuesish do të mbështet nga qeveria shqiptare me një projekt të veçantë ndihme.

Kanë të drejtë të aplikojnë:

  • Të gjithë ata që kanë përfunduar studimet e larta në profilet e mësuesisë në institucionet e arsimit të lartë brenda vendit ose jashtë. Për individët që kanë përfunduar studimet e tyre jashtë kërkohet ekuivalentimi i diplomës në përputhje me dispozitat ligjore.
  • Të gjithë ata punëkërkues si mësues që shprehin interesin në zonën ku banojnë ose për të kontribuar si vullnetar në zona të tjera të vendit.
  • Mësuesit që aktualisht janë në marrëdhënie pune provizore si mësues me kontratë.

Kjo iniciativë e MAS fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë online në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe të bëhen pjesë e kësaj iniciative konkurruese. Çdo individ i interesuar mund të aplikojë dhe të bëhet pjesë e një gare që bazohet në meritokraci reale.

Të gjithë kandidatët e interesuar do të gjejnë të gjithë informacionin e kërkuar në rubrikat e portalit, i cili do të evidentojë statistikat e procesit në vijim, deri në ditën e testimit të këtyre kandidatëve.

Datat e provimeve do të publikohen në portalin mësues.arsimi.gov.al në periudhën 27 nëntor- 1 dhjetor. Procesi i testimit të aplikantëve në sistemin arsimor parauniversitar do të drejtohet nga MAS dhe do të organizohet e administrohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe DAR/ZA-të, si dhe do të monitorohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.