Ministry of Education and Sports

Me sportistët elitar, prezantohet Parku Olimpik i Tiranës

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Kryeministri Edi Rama me sportistët elitarë, në ambientet e sallës së hartave në Kryeministri.

Duke falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për arritjet e kampionëve të peshëngritjes Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, atleten Luiza Gega, e shumë sportistë të tjerë elitar, ministrja theksoi se tani ka ardhur momenti që për sportin shqiptar të ketë bilance të reja dhe se vemendja e MAS dhe Qeverisë, që sporti të shënojë progres, është maksimale.

Tek sa u ndal në Skemën e re të financimit, në sport, ministrja Nikolla u shpreh se kjo skemë e bazuar në rezultate, do të shënojë një ndryshim cilësor në trajtimin, vlerësimin dhe shpërndarjen e fondeve publike në dobi të talenteve dhe sportit elitar, duke mundësuar një ndryshim rrënjësor nga trajtimi dhe vlerësimi i mëparshëm i tyre, në respekt edhe të legjislacionit në fuqi. 

“Jam e lumtur që jemi të gjithë bashkë, të diskutojmë për më shumë sport, talent, për më shumë mbështetje ndaj sportistëve. Skema e re e financimit adreson një mbështetje të re për talentet dhe sportin elitar.” – u shpreh ministrja Nikolla.

 
Gjithashtu, ministrja solli në vëmendje rëndësinë e ndarjes së sportit nga politika: “Do largojmë politikën nga sporti. Do ketë komisione sporti dhe komision antidoping-u në të cilat nuk do ketë më politikanë që i drejtojnë. Ligji që siguron statusin e sportistit do jetë së shpejti në parlament. Ai siguron pavarësi nga sfera e influencës politike.” – u shpreh znj. Nikolla. 

Në këtë kuadër, znj. Nikolla, vuri theksin tek partneriteti i ri me Komitetin Olimpik Shqiptar, por dhe me federatat dhe aktorët e tjerë të sportit, duke u angazhuar për krijimin e një frymë të re dhe qasje, ndryshe në komunikim, i  cili tanimë, pasqyrohet edhe nga institucionalizimi i tryezave të përbashkëta të punës për zhvillimin e sportit.

Nga ana tjetër tek sa u ndal tek statusi i sportistit elitar, ministrja tha se: “Janë plotësuar të gjitha kriteret për shpalljen e këtij statusi. Ky status ndan gjithmonë e më qartë rolin tuaj, aktivizimin , dhe përgjegjësitë tuaja. Statusi sportistit elitar, si hap përfundimtar i të gjitha hapave të ndërmarrë deri më tani, mundëson jo vetëm qartazi sportin profesionist nga ai amatoresk, por mundëson mbi të gjitha një partneritet të ri dhe angazhim në drejtim të zhvillimit të progresit për sportin shqiptar”.

Gjithashtu, ministrja u ndal tek prioritet e tjera të MAS në drejtim të masivizimit dhe cilësisë për sportin. Në kuadër të projektit “Shkollat si Qendra Komunitare” dhe sporti në shkolla, do të ndërtohen terrene të reja sportive, do të punohet ngushtë me komunitetin, si dhe do të hapen klasa të reja sportive. Ndërkohë, që me futjen e sportit në shkolla, në shtatorin e këtij viti do të aplikohet dhe rritja e orëve të lëndës së edukimit fizik.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama, prezantoi dhe disa projekte të mëdha në drejtim të sportit. Ndër ato, projekti më i rëndësishëm dhe ambicioz, ai i ndërtimi të Parkut Olimpik të Tiranës, me të gjitha parametrat e një kompleksi modern sportive. Gjithashtu, Kryeministri foli dhe për ndërtimin e palestrës së re, ku do të stërviten sportistët e peshëngritjes, si  dhe rikonstruktimin modern të stadiumit të Elbasanit, ku do të luhen shumë shpejt ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit.