Ministry of Education and Sports

Me kampionët e botës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla priti sot, në aeroportin “Nënë Tereza”, Ekipin Kombëtar të Peshëngritjes duke uruar nga afër fituesit e medaljeve të arit, Daniel Godelli dhe Romela Bega.

“Përulem me mirënjohje ndaj dy kampionëve të botës që vijnë nga Shqipëria e vogël, por me një pasion të madh për sportin dhe për të arritur rezultate si këto në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes. Danieli dhe Romela, ashtu sikurse Erkandi si kampion europe, treguan se ëndrrat për sukses mund të bëhen realitet. Ata janë sot, kampionët e botës dhe heronjtë e çdo të riu për t’i pasur si shembull të pasionit dhe suksesit të tyre”, tha Nikolla.

Gjatë fjalës së saj, në konferencën për shtyp, Ministrja Nikolla tha se nuk do të ketë më sportistë të cilët arrijnë rezultate dhe nuk marrin shpërblimin e merituar, por qeveria do të përmbush të gjitha detyrimet për sportistët.

“Bashkë me ju, ne jemi të vendosur të hapim një faqe të re në sportin shqiptar. Ndaj financuam fazën përgatitore të sportisteve të Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes në Greqi, por gjithashtu do të bëjmë të mundur edhe investimin për palestrën moderne në Tiranë, ku do të mund të stërviteni ju dhe sportistët e tjerë”, tha Lindita Nikolla.

Gjithashtu, Ministrja u shprehu sportistëve angazhimin e Qeverisë për krijimin e një palestre sportive për peshëngritjen në qytetin e Peqin. 

Në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Kazakistan, Daniel Godelli u shpall kampion bote duke marrë medalje ari në stilin e shkëputjes pasi ngriti 171 kg, medalje argjendi në stilin e shtytjes me 198 kg dhe po medalje ari në dygarësh me 369 kg. Romela Begaj, fitoi gjithashtu medalje ari në stilin e shkëputjes me 113 kg.

Ministrja Lindita Nikolla shprehu mirënjohje edhe për Presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza dhe trajnerët e të sportistëve Sokol Bishanaku dhe Gazmend Hakcani.