Ministry of Education and Sports

Me besimin tek vlerat njerëzore dhe vendosmërinë për standarde, u bë realitet Matura Shtetërore

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi edhe një herë nga qyteti i Korçës se me besimin tek vlerat njerëzore dhe vendosmërinë për të arritur standard, u be realitet suksesi i Maturës Shtetërore 2014-të.

“Falë punës si skuadër dhe ndjenjës së lartë të përgjegjshmërisë, ia dolëm të realizojmë një miradministrim shembullor në të gjithë vendin, me të vetmin qëllim, atë të ofrimit të sigurisë dhe cilësisë”, tha Ministrja duke shtuar se MAS do të vazhdojë punën për të arritur standarde të reja.

Sipas saj, nuk ka qënë e thjeshtë që të bëhej kthesa pas kaq vitesh abuzimi me Maturën Shtetërore, që nga shitja e tezës, keqmenaxhimi, mungesa e korrektësisë, etj. “Ajo që ne bëm të mundur është vendosja e procesit në kuadrin e një standardi. Arritje të reja do të shënojmë në maturat e ardhshme sepse do të punojmë fort për cilësinë e çdo ore mësimi, në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, u shpreh Ministrja Nikolla.

Duke falenderuar nxënësit për arritjet e tyre, gjithë ekipin e administratorëve, përfaqësuesit e DAR dhe MAS, Ministrja tha se të gjithë bashkarisht ja dolëm të ndërtojmë një model të ri, modelin e arritjeve me ndershmëri dhe vullnet të qartë për meritokraci. Një model të ri për t’i thënë mjaft energjive të shpenzuara për të gjetur rrugën më të shkurtër e më të pamundimshme.

“Ju keni nevojë të braktisni modele që pikëmbërritje kanë degradimin e shoqërisë dhe rrënimin e së ardhmes. Ne po përgatitemi të përballemi dhe konkurrojmë në një botë ku vetëm forca e dijeve të konsoliduara mundëson arritje”, ju drejtua Ministrja Nikolla maturantëve dhe gjimnazistëve që vitin e ardhshëm do të jenë në pozitat e maturantit.

Gjatë takimit me maturantët në qytetin e Korçës, Ministrja Lindita Nikolla, vizitoi bashkë me ta edhe Mësonjëtoren e Korçës, shkollën e parë shqipe, ku panë nga afër disa nga objektet origjinale që ruhen në këtë muze.

“Përkulem me respekt ndaj gjithë atyre që sot, janë arsyet e forta se pse ne festojmë pas lajmit së marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Janë pikërisht këta nxënës të talentuar që na mbushin mendjen dhe zemrën për të thënë: Po, Shqipëria është Evropiane”, tha Ministrja Lindita Nikolla gjatë fjalës së saj përshëndetëse.

Pas festave të maturantëve në Fier, Berat, Korçë do të vazhdojnë ato në Elbasan, Durrës, etj, jo vetëm për të evidentuar maturantët ekselent si krenaria e qytetit dhe modele suksesi, por edhe si një festë për të gjithë qytetin.