Ministry of Education and Sports

Mbro shëndetin tënd dhe të shoqërisë

Ditën e mërkurë zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, z. Arbjan Mazniku, ishte i pranishëm në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, në kuadër të zbatimit të projektit: "Mbro shëndetin tënd dhe të shoqërisë".

Inisiativa për realizimin e këtij projekti është ndërmarrë nga studentët dhe Këshilli studentor i Universitetit të Mjeksisë, të cilët janë mbështetur dhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij projekti në mbi 30 shkolla të Qarkut të Tiranës.

Ky projekt konsiston në dy pjesë të rëndësishme; së pari studentët e mjeksisë mundësojnë një sesion praktike për gjimnazistët, ku u ilustrojnë atyre me anë të një manikini mënyrën e dhënies së ndihmës së shpejt ndaj qytetarëve në nevojë. Kjo praktikë përfshin masazh kardiak, frymëmarrje artificiale, fashim, imobilizim etj. Sesioni i dytë ka të bëjë me pjesën teorike, ku studentët shpjegojnë me anë të prezantimeve vizive mbi efektet e alkoolit dhe drogave në organizëm si dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Këto leksione janë të ndërtuara në mënyre të atillë ku theksohen pasojat klinike dhe dëmi që shkaktohet në organizëm realizuar me ndërthurje fotosh dhe video për këtë qëllim.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Mazniku, duke vlerësuar punën dhe inisiativën qytetare të këtyre studentëve, u shpreh se: “Ky projekt i sjellë nga  grupi i studentëve është shumë interesant, pasi janë këta të rinj që po marrin orë nga koha e tyre për disa gjëra që ne besojmë se janë shumë të rëndësishme dhe në kuadër të projektit tonë të madh ‘Shkolla si Qendër Komunitare’, ku ne synojmë t’i japim mundësinë shkollës të ndërveproj ngushtë me komunitetin. Ky është pikërisht një nga ato projekte që i shkon më së miri këtij koncepti. Ndaj, i kemi inkurajuar studentët e mjeksisë për të bërë këtë ndërveprim dhe si një gjest që të rinjtë e këtij vendi të japin kontributin e tyre, duke ofruar dijet e tyre ndaj më të rinjve, duke kontribuar jo vetëm në përmirësimin e cilësisë në shkolla, por duke mundësuar indirekt dhe një shërbim ndaj qytetarëve të komunitetit.”